Pavarësisht krizës energjetike që preku jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe mbarë
botën, zhvillimi dhe investimet në sektorin energjetik janë një nga prioritetet kryesore të
Qeverisë, me synim kryesor sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji, si dhe
lëvizjen drejt një ekonomie të gjelbër. Në vitet e fundit, Qeveria bëri disa reforma në
sektorin e energjisë, me të cilat filloi procesi i dekarbonizimit, tha ministri i ekonomisë
Kreshnik Bekteshi në fjalimin e tij në Konferencën “Ballkani Perëndimor: Bashkëpunimi
transatlantik dhe rajonal – ndërtimi i aleancave të forta” e cila u mbajt sot në
Uashington.
Ministri Bekteshi foli në panel diskutimin me temë: Diversifikimi i Energjisë: Drejt
Pavarësisë Energjetike Evropiane, ku u diskutuan sfidat me të cilat përballen vendet e
Ballkanit Perëndimor në procesin e dekarbonizimit dhe promovimit të burimeve të
rinovueshme të energjisë.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se nevoja për transformim energjetik në Ballkanin
Perëndimor, që nënkupton dekarbonizimin dhe rritjen e investimeve në burimet e
rinovueshme të energjisë, është një nga prioritetet më të mëdha, veçanërisht në
kontekstin e krizës energjetike.
“Maqedonia e Veriut është vendi i parë anëtar i Komunitetit të Energjisë, i cili ka
zhvilluar një Plan Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, i cili përfshin dekarbonizimin,
efikasitetin e energjisë, sigurinë e furnizimit me energji, tregun e brendshëm të energjisë
dhe kërkimin, inovacionin dhe konkurrencën. Dekarbonizimi është gjithashtu një nga
shtyllat kryesore të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Energjisë deri në vitin 2040.
Varësia e vendit nga importet e gazit natyror, si dhe nga shumica e karburanteve, e bën
skenarin e dekarbonizimit dukshëm të cenueshëm ndaj trazirave në tregjet e qymyrit,
naftës, gazit natyror dhe energjisë elektrike të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë”,
tha ministri Bekteshi.
Si obligime të marra nga Maqedonia e Veriut në fushën e dekarbonizimit, parashikohet
në periudhën e ardhshme mbyllja e termocentraleve dhe në këtë mënyrë ndalimi i
prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri, rritja e pjesëmarrjes së burimeve të
rinovueshme në sektorin e energjisë, proces që tashmë ka nisur me investimet në
termocentrale fotovoltaike, si dhe uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike.
“Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të konsiderueshëm në dekarbonizimin dhe
veprimet klimatike në dokumentet kombëtare strategjike dhe të veprimit për energjinë
dhe klimën. Sipas Strategjisë së Zhvillimit të Energjisë, pesha e BRE-ve në konsumin
bruto final të energjisë pritet të rritet, duke arritur në intervalin 35-45% në vitin 2040”, tha
Bekteshi.
Ministri theksoi se Maqedonia e Veriut aktualisht është plotësisht e varur nga gazi rus
për sa i përket gazit natyror, por me mbështetjen e partnerëve tanë SHBA dhe BE vitin
e kaluar, vendi arriti të sigurojë kapacitete shtesë në gazsjellësin me Bullgarinë dhe do
të fillojë ndërtimin në fund të vitit të ndërlidhësit me Republikën e Greqisë, i cili do të
diversifikojë burimet e furnizimit me këtë energji.
“Ne jemi duke punuar për një lidhje gazi me Serbinë dhe Kosovën, që do të
nënkuptonte një pavarësi më të madhe energjetike për rajonin”, tha ministri.
Diskutimi i panelit "Diversifikimi i Energjisë: Drejt Pavarësisë Energjetike Evropiane" u
trajtua nga Jeffrey Payat, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Energjinë në Departamentin e
Shtetit, Ana Novakoviç Gjuroviç, Ministre e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe
Urbanizmit të Malit të Zi, Vedran Lakiç, Ministër i Industrisë, Minierave dhe Energjisë e
Federatës së BeH.