Beograd, mijëra persona protestojnë në Serbi: Dorëhiquni

Në qendër të Beograd, dhjetëra mijëra persona protestuan më 27 maj nën sloganin “Serbia kundër dhunës”.

Marketing

Kjo protestë u thirr nga opozita dhe është e katërta e këtij lloji që organizohet në Serbi, për të kundërshtuar përgjigjen e Qeverisë serbe pas dy sulmeve masive që ndodhën në maj në këtë shtet, kur u vranë 18 persona.

Për shkak të numrit të madh të protestuesve, rrethojat mbrojtëse të vendosura jashtë ndërtesës së Kuvendit serb u lëvizën, në mënyrë që protestuesit të mund të vazhdonin marshimin e tyre drejt ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë.

Protestuesit janë dëgjuar duke brohoritur “dorëheqje” dhe “Vuçiç po largohet”.

Pasi qytetarët u mblodhën para ndërtesës së Kuvendit serb, ata vendosën lule dhe nderuan viktimat e sulmeve me armë zjarri.

Protestuesit vazhduan rrugën drejt ndërtesës së transmetuesit publik dhe qëllimi i tyre ishte që ky televizion të raportojë për këtë protestë.
Më 3 maj, një 13-vjeçar vrau tetë nxënës dhe rojën e një shkolle në Beograd, si dhe plagosi gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues. Disa ditë më vonë, edhe një nxënëse vdiq nga plagët e marra.

Një ditë më pas, më 4 maj, një 21-vjeçar hapi zjarr në disa fshatra afër Beogradit, duke vrarë tetë persona dhe plagosur 14 të tjerë. Më pas ai është arrestuar./ REL

Marketing