Lëvizja BESA dënon ashpër këtë dukuri të fyerjeve dhe ofendimeve që po iu bëhen shqiptarëve si në rastin e sotëm në manifestimin e 2 Gushtit ku një grup vandalësh me qëllim të shkaktimit të tensioneve ndëretnike dhe me qëllim të provokimit të incidenteve për destabilizimin e vendit përdori sllogane fyese ndaj shqiptarëve.
Lëvizja Besa përkujton se vendi gjendet në një moment shumë delikat duke e marr parasysh se jemi në një proces shumë të rëndësishëm për integrimin e vendit në NATO dhe BE dhe në fazën përfundimtare për mbajtjen e referendumit. Është botërisht e ditur se ende ka forca të brendshme të ndihmuara nga qendra prej jashtë që me çdo kusht duan të pengojnë këto procese historike.
Lëvizja Besa kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme që në kohë sa më të shkurtër të zbardhë rastin dhe personat përgjegjës të sillen para drejtësisë. Apelojmë deri tek qytetarët mos të bien pre e këtyre provokimeve të ulta që kanë të vetmin qëllim inicimin e konflikteve ndëretnike për të destabilizuar vendin dhe në dëm për të gjithë qytetarët e vendit.
Lëvizja BESA do të përkushtohet maksimalisht që të kontribuojë që proceset integruese dhe mbajtja e referendumit të kalojnë pa incidente dhe pa nxitje në dëm të marrëdhënieve ndëretnike.
Zyra për informim/ kabineti i Kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami