Besimi: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është BE-ja dhe tregu i vetëm evropian

Qëllimi i përbashkët i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është që të jenë pjesë e BE-së dhe tregut të vetëm evropian. Integrimi në BE, integrimet rajonale dhe tregu i vetëm mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, si në nivel nacional ashtu edhe në atë rajonal.

Marketing

Kështu deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi, në fjalimin e tij në Forumin e Prespës për dialog, në panel diskutimin me temë “65 vjet pas Traktatit të Romës: A është Evropa plotësisht e rimëkëmbur dhe e integruar ekonomikisht?”.

“Pas 65 vjetësh nga Traktati i Romës, tregu i vetëm evropian është zona më e madhe ekonomike në botë dhe një nga arritjet më të mëdha të Bashkimit Evropian, me rreth 500 milionë konsumatorë, 24 milionë kompani dhe rreth 17 milionë qytetarë që punojnë apo jetojnë në një vend të ndryshëm nga vendi i origjinës.

Të gjitha këto kontribuojnë për kushte më të mira jetësore për qytetarët tanë dhe në të njëjtën kohë për rezultate më të mira ekonomike”, tha ministri Besimi duke e potencuar edhe rëndësinë e lidhjen mes vendeve.

Ai deklaroi se, duke marrë parasysh gjendjen aktuale në të cilën jetojmë, luftën në tokën evropiane dhe sfidat që rezultojnë nga kjo, rajoni duhet të jetë pjesë e BE-së, ndërsa që të jetë BE-ja e kompletuar, atëherë menjëherë duhet të integrohet edhe Ballkani Perëndimor.

“Evropa dëshmoi se gjithnjë e më mirë ballafaqohet me sfidat. Këtë e dëshmoi me krizën e Kovidit, tani me sfidat në lidhje me sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, megjithatë në këtë gjendje krize po ashtu tregoi edhe qasjen e përgjegjshme ndaj Ballkanit Perëndimor”, theksoi ministri dhe shtoi se e ardhmja e BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor pas kësaj krize është që t’i jepet përparësi proceseve të dixhitalizimit, tranzicionit të gjelbër, lidhjes infrastrukturore mes vendeve të rajonit, kapitalit njerëzor, si dhe qëverisjes së mirë dhe luftës kundër korrupsionit. Këto janë pesë qëllimet që duhet së bashku të orientohemi në të ardhmen, për zhvillimin dhe arritjen e kushteve më të mira jetësore për qytetarët.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e hapi sesionin me temë “65 vjet pas Traktatit të Romës: A është Evropa plotësisht e rimëkëmbur dhe e integruar ekonomikisht?”, ndërsa morën pjesë edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, sekretarja e përgjithshme e Këshillit rajonal të bashkëpunimit, Majlinda Bregu, eksperti i ekonomisë nga Instituti ndërkombëtar në Romë, Mateo Bonomi, ministri i zhvillimit ekonomik dhe turizmit të Malit të Zi, Goran Gjuroviq, si dhe ministrja e ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli.

Forumi i Prespës për Dialog (FPD) është platëformë e krijuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’u mundësuar vendeve, liderëve, organizatave dhe qytetarëve që të krijojnë marrëdhënie afatgjata dhe t’i përforcojnë partneritetet. Edicioni i dytë i këtij viti mbahet në Ohër dhe i dedikohet çështjeve aktuale të sigurisë, çështjeve politike dhe ekonomike me të cilat përballet Evropa dhe Ballkani Perëndimor.