Osmani-Eskobar: Të fillojnë sa më shpejtë negociatat e RMV-së dhe Shqipërisë për anëtarësim në BE

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në margjinat e Forumit të Prespës për Dialog, në Ohër, realizoi takim me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar. Në takim morën pjesë edhe Ambasadori Majkëll Karpenter, Përfaqësues i Përhershëm i SHBA-së pranë OSBE-së në Vjenë dhe Ambasadorja e SHBA-së në vend, Kejt Meri Bërns.

Marketing

Bashkëbiseduesit përshëndetën Dialogun Strategjik të mbajtur së fundmi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së në Uashington, si fazë të re në marrëdhëniet bilaterale dhe avancim të partneritetit strategjik, por edhe si mundësi të shkëlqyer për thellimin e mëtejshëm dhe inkuadrimin konkret të bashkëpunimit në fushat me interes.

Në takim u diskutua për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor si synim i përbashkët strategjik, si dhe për situatën aktuale në këtë kontekst. Me këtë rast, u theksua nevoja për fillimin sa më të shpejtë të negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim të plotë në BE, si kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe progresin e rajonit dhe si mënyrë për ta kthyer kredibilitetin evropian në rajon.

“Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është çështje sigurie, prandaj përshpejtimi i proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor është e rëndësisë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit në rajonin tonë, por edhe në Evropë në tërësi. E vlerësojmë lartë mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara për fillimin sa më të shpejtë të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian, që është interes i përbashkët strategjik, por edhe garanci për kufizimin e ndikimit nga palët e treta”, tha ministri Osmani.

U diskutua edhe për sfidat e sigurisë në rajonin e OSBE-së, reflektimet e tyre mbi konstelacionet politike në Ballkan. Në takim u përshëndet vendosshmëria, përgjegjësia dhe përkushtimi ynë aktiv ndaj multilateralizmit, si kryesues i ardhshëm i OSBE-së, si dhe formate tjera multilaterale, në një kohë kur bota po përballet me sfida serioze.