Besimi: Pensione më të larta, mjete për tejkalimin e krizës, por edhe për stimulimin e ekonomisë me Buxhetin e vitit 2023

Më shumë mjete janë planifikuar për pensione më të larta, për
stimulimin e rendimenteve dhe prodhimit në bujqësi, për harmonizimin e pagave me
pagën minimale, por edhe për zhvillimin e ekonomisë përmes investimeve në
infrastrukturë dhe përkrahjes së sektorit privat. Propozim buxheti i vitit 2023 ka për
qëllim të reagojë ndaj krizës aktuale, me 250 milionë euro të destinuara drejtpërdrejt për
ballafaqimin e saj. Por, ka për qëllim edhe stimulimin e ekonomisë, për të arritur më tej
normat e dëshiruara dhe të nevojshme të rritjes ekonomike prej 5% – shkruan ministri i
Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit.

Marketing

“Në kuadër të transfertave sociale janë planifikuar 75 miliardë denarë për pagesën e
pensioneve, respektivisht rreth 10% më shumë krahasuar me këtë vit, me qëllim të
sigurimit të mjeteve për harmonizimin e pensioneve me rritjen e pagës mesatare dhe
kostove të jetesës, sipas sistemit 50%-50%. Parashihen edhe 12.5 miliardë denarë për
pagesën e kompensimeve për mbrojtje sociale të shtresave më të ndjeshme të
popullatës. Gjithashtu, janë planifikuar nga 1.5 miliardë denarë veçmas për pagesën e
kompensimit financiar në rast të papunësisë dhe për masa aktive të punësimit”, shkruan
Besimi.
Shepnzimet për pagesën e pagave janë projektuar sipas zgjidhjeve ekzistuese ligjore
dhe janë në vlerë prej 34.9 miliardë denarë, respektivisht shuma është më e lartë për
1.6 miliardë denarë, por kjo është në drejtim të harmonizimit me pagën minimale gjatë
vitit të ardhshëm, sipas metodologjisë së re. Megjithatë, vazhdojmë me përcaktimin për
optimizimin e të punësuarve në sektorin publik.

Parashihen edhe subvencione për ballafaqimin me situatën e krizës për furnizimin me
energjensat e domosdoshëm dhe stimulimin e prodhimit vendas të energjisë elektrike.
Gjithashtu, parashihen subvencione për përkrahjen e sektorit të bujqësisë, me qëllim të
rritjes së prodhimit bimor dhe shtazor në vend, dhe stimulimit të rendimenteve.
Planifikohen mjete edhe për subvencione në sektorin privat, të destinuara për
përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe mesme, rritjen e konkurrencës, veprimtarinë
inovative, zhvillimin dhe kërkimin teknologjik, investimet e reja, përkrahjen e eksportit
dhe pushtimin drejt tregjeve të reja, përkrahjen e krijimit të vendeve të reja të punës etj.
Besimi thekson se ajo që është veçanërisht domethënëse dhe që me të drejtë i jep këtij
buxheti epitetin zhvillimor është se Buxheti i vitit 2023 bazohet në “rregullin e artë” në
financat publike. Rregulli i artë është – shpenzimet kapitale duhet të jenë më të larta se
deficiti buxhetor, përkatësisht huazohet vetëm për projekte kapitale që do t’i japin vlerë
të shtuar ekonomisë.

Me këtë buxhet planifikojmë shpenzime kapitale në nivel prej 48.9 miliardë denarë (791
milionë euro), ose rreth 52.3% më të larta se projeksioni për vitin 2022. Planifikohet
intensifikimi i projekteve infrastrukturore, gjegjësisht për investime në infrastrukturë
rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturë energjetike dhe komunale, si dhe investime

kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe në sistemin
social, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe gjyqësor. Në interes të
hapësirës dhe lexueshmërisë, do të përmend vetëm disa nga projektet e përfshira në
këtë shumë”, shkruan ministri i Financave.