Besimi: Sistem i drejtë tatimor ku të gjithë do t’i paguajnë detyrimet dhe do t’i shfrytëzojnë të mirat publike

Trajtimi i barabartë dhe i drejtë i të gjithë qytetarëve dhe kompanive dhe sistemi tatimor efikas që do ta përkrahë ekonominë e gjelbër të qëndrueshme janë synimet që duam t’i arrijmë me reformën tatimore. Inkluziviteti ka rëndësi të veçantë për të gjithë procesin – që nga hartimi i draft konceptit deri në përcaktimin e reformave, për këtë arsye gjatë dy viteve të fundit, Ministria e Financave kishte konsultime të gjera mbi reformën tatimore. Kështu theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, në debatin e djeshëm në emisionin “24 Analiza”.

Marketing

“Cilësia më e mirë e shëndetësisë, arsimit dhe infrastrukturës është qëllimi kryesor që duhet të arrihet me reformën e sistemit tatimor. Propozimi lidhur me tatimimin e drejtë është që personi i cili nuk ka paguar ose ka paguar tatim më të ulët me normë preferenciale ose është liruar nga ky detyrim, duhet të jetë i barabartë me personat e tjerë, sepse koncepti i drejtësisë është që të gjithë në këtë sistem të jenë të barabartë”, theksoi Besimi.

Ministri theksoi se i gjithë procesi është udhëhequr përmes transparencës maksimale, si dhe nga këto debate kanë rezultuar ide dhe zgjidhje të përshtatshme.

“Hapëm debat për t’i dëgjuar të gjitha palët. Bëhet fjalë për reforma sistemike me ndikim afatgjatë mbi zhvillimin dhe ekonominë tonë. Qëllimi kryesor është përmirësimi i shërbimeve publike, sepse të gjithë duam cilësi më të mirë të arsimit, shëndetësisë, dhe infrastrukturës. Prej disa dekadash, paguajmë rreth 160 milionë euro normë interesi nga huamarrjet paraprake. Si ekonomi, më pak krijojmë se sa shpenzojmë. Duhet të kemi sistem tatimor që do të jetë i drejtë dhe transparent. Drejtësia përfshin edhe uljen e ekonomisë gri”, theksoi Besimi.

Sa i përket ekonomisë gri, ministri Besimi theksoi se një prej masave është sigurimi i e-faturave, e-fiskalizimi, “trace and track” për akcizën e të mirave në fushën e doganës, si dhe masa të tjera, që i referohen uljes së ekonomisë gri dhe janë në përputhje me Planin e akcizës për uljen e ekonomisë gri për periudhën 2021-2025.

Duke diskutuar mbi zgjidhjet e duhura, ministri iu referua Ligjit për Tatimin mbi Fitimin, për të cilin theksoi se qëllimet e reformës janë që mjetet të destinohen drejt tranzicionit të gjelbër, dixhitalizimit, hulumtimit dhe zhvillimit, përkatësisht drejt reformave strukturore që do ta bëjnë ekonominë tonë më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme. Ai rikujtoi krizën energjetike me të cilën po ballafaqohet ekonomia vendase dhe bota në përgjithësi, si dhe potencoi se që tani duhet të ndërmerren masa sistemike, me qëllim që të mbrohet ekonomia në periudhë afatgjate.

Marketing