Besimi: Transformimi i gjelbër dhe dixhital në fokusin e zhvillimit të ardhshëm, instrumente dhe fonde të reja në Planin e përshpejtimit të rritjes

Rritja e ekonomisë në të ardhmen dhe rimëkëmbja pas krizës së Kovid-it do të bazohet në ekonominë dixhitale, ekonominë e gjelbër dhe prosperitetin inkluziv. Përkrahja e transformimit të gjelbër dhe dixhital është një nga angazhimet e Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, që është përfshirë në Planin për financimin e rimëkëmbjes dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike, i cili tashmë është në fazën përfundimtare të përgatitjes në MF.

Marketing

Këtë e theksoi ministri i Financave Fatmir Besimi sot në Konferencën me temë “Përshpejtimi i financimit të gjelbër në Maqedoninë e Veriut: Vendosja e fondit për financim të gjelbër” që u mbajt në Shkup.

“Plani për financimin e rimëkëmbjes dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike është një nga dokumentet strategjike të Ministrisë së Financave. Ai synon arritjen e angazhimit për dyfishimin e rritjes ekonomike dhe konsolidimin fiskal. Transformimi i gjelbër dhe dixhital ku do të bazohet zhvillimi i ardhshëm do të kërkojë investime të mëdha, me ç’rast një nga qëllimet e Planit është që përmes krijimit dhe shfrytëzimit të mekanizmave, instrumenteve, fondeve dhe burimeve të reja të financimit të krijohet efekt multiplikativ, përkatësisht përveç investimeve të planifikuara publike në vlerë prej 4 miliardë euro për periudhën 2021-2026, të financuara nga buxheti, fondet IPA dhe institucionet financiare ndërkombëtare të mobilizohen shumëfish më shumë mjete dhe investime nga sektori privat, theksoi ministri.

Përveç rritjes së investimeve me anë të Planit, pritet të rriten edhe normat e rritjes ekonomike në periudhë afatmesme në 5% në nivel vjetor dhe të sigurohet konsolidimi fiskal përmes zvogëlimit të borxhit publik nën 60% të BPV-së në periudhë afatmesme.

Siç shpjegoi, Plani prezanton mekanizmat ekzistues dhe të rinj për qasje në kapital për financimin e rimëkëmbjes dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, përmes projekteve investuese në sektorin publik dhe privat, si dhe kuantifikon efektet në investimet bruto dhe rritjen ekonomike.

Në këtë konferencë, sa i përket panelit me temë “Financimi i gjelbër në Maqedoninë e Veriut”, ministri Besimi iu referua pjesës së Planit të orientuar drejt ekonomisë së gjelbër, përkatësisht instrumentet dhe fondet e reja të parapara.

Obligacionet e gjelbra janë instrument i ri financiar për nxitjen dhe përkrahjen e projekteve në drejtim të “Axhendës së gjelbër” dhe tranzicionit të gjelbër, që synojnë projekte për përmirësimin e mjedisit jetësor, përkatësisht përmirësimin e efikasitetit energjetik; zvogëlimin e ndotjes, sistemin e menaxhimit të integruar të mbeturinave; përkrahjen e bujqësisë së qëndrueshme, peshkimin dhe pylltarinë, mbrojtjen e ekosistemeve ujore dhe tokësore, sigurimin e transportit të pastër dhe menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave, avancimin e teknologjive ekologjike, etj.

Sa i përket fondeve, me këtë plan do të formohet Fondi për efikasitet energjetik, në kuadër të Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, ndërsa mjetet do të destinohen, ndër të tjera, për investime të ardhshme me efikasitet energjetik, si dhe financimin e investimeve lidhur me efikasitetin energjetik dhe energjinë e ripërtëritshme në ndërtesat publike. Gjithashtu, parashihet edhe financimi përmes Fondit për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për rritjen dhe zhvillimin e tyre, si dhe Fondi investues strategjik i gjelbër me qëllim të investimit në projekte të ndërmarrjeve të mëdha.

Kjo, siç tha ministri i Financave është vetëm një pjesë e Planit i cili parasheh forma dhe mënyra të reja të investimit, me të cilin vlerësohet të investohen 12 miliardë euro në projekte të dizajnuara dhe zbatuara nga sektori publik dhe privat.
– Qeveria e Maqedonisë së Veriut është fokusuar në “Axhendën e gjelbër”, dixhitalizimin, inovacione dhe teknologji, zhvillimin e kapitalit njerëzor, përmirësimin e infrastrukturës, kohezionin social dhe qeverisjen e mirë.

Përkushtimi i Qeverisë për mbrojtjen e mjedisit jetësor reflektohet edhe përmes përkrahjes së paraparë në Buxhet dhe programin e veçantë për zhvillimin e gjelbër, si dhe në anagazhimin e shfrytëzimit të mundësive financiare nga institucionet financiare ndërkombëtare në dispozicion, tha ministri i Financave Fatmir Besimi.