Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Themelore Shkupi dy në Shkup, dhe ndaj gjykatëses Suzana Donçevska, e cila ka lejuar regjistrimin e “Bashkësis Islame Selefiste DAR el hadith”. Sipas Evzal Sinanit nga BFI, ky është një akt i turpshëm dhe shumë i dëmshëm për unitetin e myslimanëve.
“Me indinjatë të thellë kundër Gjykatës Themelore Shkupi dy në Shkup, e cila ka regjistruar gjoja se këtë Bashkësi Fetare, vendim që mbanë vulën e gjykatës Suzana Doncevska. Ky akt është i turpshëm dhe si i tillë është tentim për paralelizëm institucionit kushtetutarë të BFI. Aktin e Gjykatës Doncevska e llogarisim tendencioz. Ligji nuk lejon regjistrimin e dy bashkësive që mbajnë të njëjtin emër, kanë të njëjtat burime, dhe kryejnë të njëjtat praktika fetare.”,- deklaroi Evzal Sinani nga BFI.
Nga BFI thonë se ndaj vendimit të gjykatës themelore kanë dërguar ankesë në gjykatën e Apelit me kërkesën e shfuqizimit të regjistrimit të organizatës së ashtuquajtur “Bashkësi Islame Selefiste DAR El Hadith”.
“Më 2 shkurt kemi dorëzuar ankesën tonë deri tek Gjykata e Apelit për shfuqizim të vendimit për regjistrim të kësaj Bashkësie Fetare Islame. Ne nuk besojmë se ka përfshirje të politikës në regjistrimin e kësaj bashkësie, ndërsa themi tendencioz sepse ky vendim i po të njëjtës gjykatëse nuk është i pa precedent, dhe është ajo që ka marrë guximin edhe më herët që të regjistroj edhe reis ulema të BFI, pra njihen tendencat e saj për të ndërmarrë veprime të tilla.”,– u shpreh Evzal Sinani nga BFI.
Bashkësia Fetare Islame thotë se që nga momenti i parë i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe duke e gjykuar ashpër këtë vendim, i ka njoftuar edhe të gjitha instancat shtetërore duke filluar nga presidenti i shtetit, kryetari i kuvendit, kryeministri si dhe faktori ndërkombëtar.