Bislimovski edhe një mandat në krye të Komisionit rregullator?

Kuvendi sot e vazhdoi seancën e 120-të me debat për Propozimin për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit rregullator për energjetikë dhe shërbime ujore dhe shërbime për menaxhim me mbeturina komunale të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për njeri të parë të Komisionit u propozua kryetari aktual Marko Bislimovski, ndërsa për anëtarë Merita Dema, Faton Ambari dhe Aleksandar Çebotarev.

Marketing

Deputetët nga opozita kanë shprehur pakënaqësi nga kandidatët e propozuar për kryetar dhe anëtarë të Komisionit rregullator. Ata thanë se përfaqësimi i drejtë i Komisionit është shkelur pasi të gjithë të punësuarit janë maqedonas dhe shqiptarë, e nuk ka pjesëtarë të komuniteteve tjera.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së vlerësojnë se punësimet aty duhet të jenë në bazë të sistemit Merit. Në mandatin e Bislimovskit, numri i të punësuarve në Komiison është rritur dhe nëse para viti 2021 kanë qenë 22, tani është 44, ndërsa nevojat për punësim janë cekur në mënyrë paushale.

Për kryetarin aktual Bislimovski thanë se me asgjë nuk e ka merituar të rizgjedhet, se ka taktizuar gjatë shpalljes së rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, si dhe se dokumentet për konkurs i ka nxjerrë pak para shpalljes së konkursit.

Për Demën, e cila u propozua edhe në konkursin paraprak, por nuk ka pasur dhjetë vite përvojë pune dhe e kanë tërhequr, thanë se nuk është kandidat adekuat. Për Çebotarev, i cili është magjistër i elektroteknikës dhe teknologjive informative, se po shpërblehet si kuadër i LSDM-së.

Seanca do të vazhdojë në ora 15 e 30.