Blinken letër Kurtit: Presim bashkëpunim për marrëveshjen e vonuar Kosovë-Serbi

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony J. Blinken përmes një letre që i ka dërguar Kryeministrit të Kosovës Albin ka shprehur mbështetjen për bashkëpunim mes dy vendeve, për të zbatuar agjendën e Presidentit Biden.

Marketing

“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, ka shkruar në letër Sekretari Blinken.

Lidhur me marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, Blinken shprehet besimplotë se dialogu i ndërmjetësuar nga BE mbetet mjeti i mirë.

“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka shkruar Blinken.

“Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës. Mbështetja e vendimeve gjyqësore, në veçanti vendimeve që ndërlidhen me të drejtat e minoriteteve, do të kishte efekt të ngjashëm pozitiv dhe është në harmoni me prioritetet e qeverisë tuaj për fuqizimin e sundimit të ligjit. Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, thuhet gjithashtu në letër.