Mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet kanë marrë rrugë drejt Prishtinës.
Kjo në përkrahje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët do ta nisin betejën me drejtësinë nesër në Hagë, raporton Nacionale.
Më shumë se 15 autobusë u nisën nga Skënderaj, e qindra qytetarë të tjerë me vetura nga atje. Më shumë se 2 mijë qytetarë të tjerë janë nisur nga Mitrovica.
Megjithatë, kjo nuk është e tëra. Nacionale ka siguruar pamje nga hyrja e autostradës në Prizren, e cila gati është bllokuar e tëra.
Kjo pasi dhjëtra autobusë janë ndaluar skaj rrugëve. Disa nga pjesëmarrësit i kanë thënë Nacionales se pjesëmarrja është masive nga rajoni i Gjakovës e Prizrenit.
Transport të organizuar ka pasur nga të gjitha komunat. Ky marsh është organizuar nga platforma “Liria ka emër”.
Sipas njoftimit për mediat të inciativës “Liria ka emër”, gjatë marshit do të ketë edhe fjalime të cilat do të mbahen të sheshi “Skenderbeu”.
Përkrahje këtij marshi i kanë dhënë edhe një pjesë e partive politike në vend si AAK-ja, VV-ja, Nisma Socialdemorkate, PSD-ja.
Përkrahje marshit i kanë dhënë edhe këngëtarë, personalitete të ndryshme, e sindikata të punëtorëve në Kosovë.
Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së do të fillojë nesër me datë 3 prill. Fillimisht fjalët hyrëse do t’i ketë Prokuroria për më shumë se 5 orë, e pastaj mbrojtja.
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se nga kjo komunë do të shkojnë mbi 2 mijë qytetarë në Prishtinë.
Kjo për t’iu bashkuar Marshit për Drejtësi në mbështetje të krerëve të UÇK-s
Hamza ka thënë për Kanal 10 se mitrovicasit i janë bashkuar masivisht kësaj thirrje.
“Sigurisht që pjesëmarrja duhet të jetë masive. Po flasim për një temë që tejkalon përmasat jo vetëm të Kosovës, por është në interes të kombit shqiptar. Po flasim për projektin më të rëndësishëm politik në Kosovë. Kemi të bëjmë me projektin e UÇK-së. Protesta do të jetë paqësore. Pjesëmarrja në Mitrovicë do të jetë masive. Presim që prej Mitrovicës do të jenë 2 mijë vetë”, tha Hamza, transmeton Nacionale.
Dhjetëra autobusë u nisën nga Skënderaj drejt Prishtinës për të marrë pjesë në Marshin për Drejtësi.
Krejt kjo në përkrahje të krerëve të UÇK-së që nesër do të nisin betejën me drejtësinë në Gjykatën Speciale.
Një qytetar pak para nisjes pati disa fjalë për Specialen. “Specialja e ka bo bërllog krejt. Po dalim me protestu”, tha ai.
E një qytetar tjetër, kritikoi faktin që kriminelët serbë enden të lirë.
“Arsyeja e sotit është të marshojmë për drejtësi. Bëhet drejtësi sepse kriminelët që kanë bërë krime e masakra në Kosovë gjenden të lirë në Serbië e Kosovë,e ata qëkanë luftuar për liri po mbahen padrejtësisht. Ata janë të pafajshëm i presim të lirë”, deklaroi ai.
Marshi pritet të fillojë në orën 14:00.