Brexit, rriten kërkesat e britanikëve për pasaportat të BE-së

Me Britaninë e Madhe që pritet të lërë Bashkimin Europian në mars, kërkesa mes qytetarëve britanikë për pasaporta nga 27 vendet e tjera të bllokut kanë arritur “qiellin”.

Marketing

Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian kanë negociuar prej kohësh kushtet e divorcit të ishullit, e ndërsa paqartësi mbeten ende për natyrën e marrëdhënies së ardhshme, duket qartë se britanikët që nuk kualifikohen për shtetësi europiane përmes mjeteve të tjera do të humbasin një seri të drejtash, pasi divorci të finalizohet.

Kjo përfshin edhe të drejtën e britanikëve për të punuar dhe për të jetuar në çdo vend të BE-së, një element thelbësor ky i projektit europian.

Qytetarët e BE-së mund të votojnë në zgjedhjet lokale dhe ato europiane në vendin e tyre të banimit; kanë përfitime shëndetësore dhe përfitime nga sigurimet sociale dhe kualifikimet e tyre njihen në të gjithë unionin.

Për këto përfitime, shumë shtetas britanikë tani kanë vendosur të aplikojnë për shtetësi gjermane apo të ndonjë vendi tjetër anëtar të bllokut. Me mijëra janë britanikët që kanë aplikuar për shtetësi gjermane në Ambasadën në Londër, që nga referendumi i qershorit 2016. Ky numër është rritur me rreth 150 për qind nga 2016-2017, ndërsa në 9 muajt e parë të 2018-s kanë aplikuar 1.147 persona.

Këto shifra nuk përfshijnë britanikët që kanë aplikuar për shtetësi në Gjermani. Por, Gjermania nuk është i vetmi vend që po përballet me një fluks aplikimesh nga britanikët.