Ceferin: Nuk më vjen keq nëse klubet rebele largohen nga Championsi

Aleksander Ceferin vijon luftën në distancë me tre klubet rebele që nuk kanë hequr ende dorë nga krijimi i Superligës Europiane, teksa në një intervistë për gjermanen “Der Spiegel” deklaroi se do të ishte shumë i kënaqur nëse ato largohen nga Champions-i.

Marketing

“Nuk do të më vinte keq nëse do të iknin nga Liga e Kampionëve. Është shumë argëtuese të shohësh ato klube që duan të krijojnë një ligë tjetër, por në të njëjtën kohë të marrin pjesë edhe në Champions League”, u shpreh Ceferin.

Andrea Agnelli ka qenë zakonisht objektivi i kreut të qeverisë europiane të futbollit në sulmet e tij mediatike, megjithatë këtë herë Ceferin nuk ngurroi të merret edhe me Florentino Perezin e Realit të Madridit.

“Florentino Perez qahet dhe thotë se klubi i tij mund të mbijetojë vetëm me Superligën, por më pas provon të blejë Mbappe për 180 milionë euro. Këto tre klube kanë drejtues jo kompetentë dhe këta njerëz kanë tentuar të vrasin futbollin”, deklaroi kreu i UEFA-s.

Ndër të tjera në intervistë, Ceferin pranoi se pavarësisht stresit e impenjimit të madh, do të donte të vijonte punën e tij në krye të UEFA-s, pasi tha se po përgatitet për të kërkuar edhe një mandat të tretë.

Marketing