CIA: Ja kush ishin spiunët shqiptarë që u rekrutuan nga UDB më 1954

Shumë shqiptarë që u arratisën drejt Jugosllavisë gjatë regjimit komunist u rekrutuan nga agjencia e inteligjencës Jugosllave. Dushan Mugosha dhe shumë eksponentë të tjerë merrnin në pyetje të gjithë refugjatët dhe i detyronin që të ktheheshin në Shqipëri dhe të spiunonin regjimin komunist. Në një dokument të CIA tregohen detaje nga procesi i rekrutimit.

Marketing

Shkurt 1954

Refugjatët shqiptarë në Jugosllavi

Çdo shqiptar që arratiset në Jugosllavi detyrohet të bashkohet në Komitetin e Prizrenit. Ata që refuzojnë ta bëjnë këtë nuk marrin dokumentin e identifikimit dhe rrjedhimisht as ushqim, rroba apo karta racionesh. Nëse janë nga 15 deri në 60 vjeç, shqiptarët futen në kampe përqendrimi ku trajtimet me rrahje janë të zakonshme. Ndërsa gratë, fëmijët dhe të moshuarit që refuzojnë të bashkohen në organizatë lihen në fatin e tyre, pa ushqim e strehim. Pra të gjithë ata që nuk duan të vdesin nga vështirësitë detyrohen të bashkohen në Komitetin e refugjatëve shqiptarë të Prizrenit i cili drejtohet nga oficerët e UDB. Komiteti e merr emrin nga Lidhja e Prizrenit në mënyrë që shqiptarët ta identifikojnë atë me lëvizjen patriotike shqiptare që është forcuar këtu në 1878, edhe pse selia e tij është në Prishtinë. Shqiptarët anëtarë të Komitetit kanë si të drejtë vetëm të spiunojnë njëri-tjetrin. Oficerët jugosllavë të UDB përdorin çdo mjet për të mësuar gjithçka për shqiptarët dhe qëllimet e tyre, duke përfshirë ryshfetin, kërcënimet, lajkat e torturën. Korrupsioni ka arritur në pikë të tillë sa që ka dëmtuar emigracionin drejt Jugosllavisë dhe vetë qëllimet e Beogradit, pasi përfitimet e tij do të ishin shumë më të madha nëse morali i refugjatëve do të ishte më i lartë. Gjenerali Dushan Mugosha që është përgjegjës për çështjet shqiptare në qeverinë e Titos organizon gjithashtu dhe refugjatët nga të gjitha vendet e tjera të satelitëve të Moskës. Kolonel Cedo Mijoviç merret gjithashtu me çështjet shqiptare nga zyra e tij në Ministrinë e Brendshme të Beogradit dhe duket se është më i butë në trajtimin e tyre. Herë pas here ai u jep ndihma konkrete dhe u thotë fjalë të mira. Kohët e fundit për shembull, refugjati shqiptar Gjon Gjinaj, i cili është internuar për gjashtë muaj në Serbi bashkë me Kol Çunin, u dërgua në Jugosllavi për trajtime mjekësore trupore.

Organizimi i refugjatëve

Përveç atyre refugjatëve që janë bërë agjentë të UDB duke punuar kundër bashkëatdhetarëve të tyre, asnjë nga shqiptarët në Jugosllavi nuk ka besim te qëllimet e mira të pretenduara nga Komiteti i Prizrenit. Organizata konsiderohet si një fasadë për përgatitjet e Jugosllavisë për aneksimin e Shqipërisë dhe kthimin e saj në republikën e shtatë të federatës. Më parë Jugosllavia fliste për çlirimin e popullit shqiptar nga zgjedha e Enver Hoxhës por kjo linjë është braktisur prej disa muajsh dhe shqiptarët janë vënë në alarm prej marrëveshjes së kohëve të fundit të Titos me Bashkimin Sovjetik dhe vendet satelite. Refugjatët besojnë se pas kësaj ata do të dorëzohen te qeveria komuniste e Hoxhës dhe kjo frikë u reflektua gjerësisht mes rreth 300 delegatëve shqiptarë në kongresin e përvitshëm të komitetit. Në fjalën e tij Dushan Mugosha tha: Më kanë ardhur fjalë se jeni të shqetësuar për zhvillimet tona të fundit në politikën e jashtme, me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera demokratike popullore. Unë mund t’ju siguroj se presidenti Tito dhe unë nuk do të lejojmë dëmtimin e asnjë refugjati shqiptar, çfarëdo rruge që të marrin marrëdhëniet tona të jashtme, dhe se të gjithëve do t’u jepet mundësia të emigrojnë në secilin vend që dëshirojnë, ose të qëndrojnë në Jugosllavi me të drejta të plotë qytetarie”. Kjo mbledhje e fundit u krye në një atmosferë të rëndë mosbesimi e pasigurie, ku edhe shqiptarët që kishin qenë më parë pro-Tito nuk i besonin më autoriteteve. Lista e anëtarëve të propozuar të komitetit ishte hartuar paraprakisht. Me sa dukej Apostol Tenefi dhe grupi i tij kishin abuzuar me privilegjet e Komitetit duke përndjekur armiqtë e tyre personalë dhe duke favorizuar mbështetësit. Pakënaqësia mes refugjatëve për gjendjen ishte e dukshme prandaj jugosllavët u detyruan të ndryshojnë përbërjen e Komitetit. Drejtuesit e rinj të Komitetit janë njerëz të ndershëm, përveç zyrtarëve të UDB. Kështu presidenti i ri i Komitetit Hajrullah Ishmi është njeri i mësuar e i kulturuar, i cili ka një vëlla të ekzekutuar nga regjimi shqiptar në kohën e bashkimit me Italinë. Sekretari i ri Ramadan Spahia dhe anëtari i komitetit ekzekutiv janë në të njëjtën kategori me Ishmin. Ndërsa Tenefi, Can Tahiri, Lutfi Spahiu e Qazim Lusha janë ulur në detyrë në komisionin konsultativ të Komitetit, i cili përbëhet nga 40 persona dhe nuk një rëndësi të veçantë. Në të përfshihet Ndue Pjetër Gjonmarkaj dhe Mark Gjecaj, ky i fundit është caktuar si inspektor me qëllim për ta kompromentuar. Gjecaj ishte i pakënaqur me emërimin e tij por tentativat për ta evituar ishin të kota. Ndërsa mbrojtja që i bën Ndue Pjetër Gjonmarkaj refugjatëve shqiptarë në Perëndim kritikohet ashpër nga Dushan Mugosha, i cili u detyrua ta pranonte atë në Komitetin Konsultativ pasi e dëshironte shumica. Nik Sokoli ka mbajtur postin e tij të zv. presidentit të Komitetit, ndërsa Qazim Lushi, Mark Ujka e Kol Hasa janë vegla besnike të shefave të UDB. Ndër nacionalistët shqiptarë përmendim Caf Smajl Deli, Mark Pashko nga Vermoshi, Mirash Gjoka nga Shkreli, Kolë Pali nga Dukagjini dhe Dod Frani nga Vukli.

Organizimi

Lufti Spahiu ka qenë personi më i përshtatshëm për të drejtuar Komitetin por jugosllavët e kanë lënë mënjanë pasi nuk kanë besim te ai. Refugjatëve shqiptarë në Jugosllavi u jepen rezidenca sipas tre grupeve kryesore: atyre që vijnë nga Shqipëria jugore dhe Elbasani u caktohet të jetojnë në Maqedoni, refugjatëve nga Dibra, Luma e Mirëdita në Serbi dhe ata që vijnë nga Shkodra, Malësia e Madhe e Dukagjini caktohen në Malin e Zi. Studentët shqiptarë në universitetin e Beogradit marrin mbështetje sociale nga UDB, e cila gjithashtu kontrollon notat e tyre dhe më të mirëve u jepet mundësia e udhëtimeve në Dalmaci apo Zagreb. Shqiptarët në Jugosllavi nuk lejohet të bashkohen në grupe të tjera politike përveç Lidhjes së Prizrenit. Sa i përket bindeve të tyre vetjake, rreth 30 për qind e refugjatëve nga Luma e Dibra janë mbështetës të Ballit Kombëtar Indipendent. Ka pak ndjekës të Ballit Kombëtar dhe zogistë, të cilët kufizohen në ata që kanë pasur poste në administratën e Zogut. Opinioni i përgjithshëm i refugjatëve është se çlirimi i Shqipërisë mund të vijë vetëm nga Perëndimi. Ata mendojnë gjithashtu se ndryshimi në Shqipëri nuk mund të vijë pa një tjetër luftë botërore. Mark Pashko, drejtuesi i refugjatëve të Malit të Zi është një nga mbështetësit kryesorë të BKI dhe beson se çlirimi i Shqipërisë mund të vijë vetëm nga Perëndimi. Refugjatët shqiptarë që janë fizikisht të aftë dhe kanë eksperiencë në lëvizjen e rezistencës detyrohen nga UDB të kryejnë operacione inteligjence në Shqipëri, për mbledhjen e informacioneve ushtarake, lëvizjen e trupave dhe moralin e popullatës. Ata gjithashtu tentojnë të mësojnë vendndodhjen e organizatave anti-Tito, të cilat inkurajohen nga qeveria shqiptare, si dhe shpërndajnë fletushka propagande. Por shumica e shqiptarëve të dërguar në misione të tilla kur kthehen në Jugosllavi japin informacione të sajuara. Para nisjes ata instruktohen të mos vrasin oficerë komunistë në vendin e tyre por shumë prej tyre përpiqen të shpëtojnë jetën e ushtarëve të thjeshtë dhe vrasin sa më shumë oficerë që munden. Në disa raste grupet e dërguara në Shqipëri kanë vrarë kolegët e tyre kur kanë qenë të sigurtë se kanë qenë informatorë të UBD. Misionet nuk priten me simpati nga shqiptarët të cilëve nuk u leverdis të rrezikojnë dënimin e autoriteteve komuniste në rast zbulimi. Shumë shqiptarë besojnë se nuk ka ndryshim mes regjimit të Hoxhës dhe atij të Titos, ndërsa për Komitetin e Prizrenit shqiptarët besojnë se është një teatër kukullash të komanduara nga Dushan Mugosha, që është dhe themeluesi i partisë komuniste shqiptare, përgjegjëse për mjerimin e tyre aktual.

Anëtarësimet në UDB

Shqiptarët në zonat myslimane të Plavës e Gucisë, dhe ato katolike të Hoti, Gruda e Kacja i kanë habitur refugjatët me bujarinë e tyre, teksa prej gjashtë-shtatë vjetësh kanë ndihmua mijëra refugjatë pa dallim feje apo origjine. Por situata tani po ndryshon. Kosovarët që më parë i prisnin refugjatët me krahë hapur, tani po bien viktimë e agjentëve nga Shqipëria që i shpërndajnë propagandën e Hoxhës. Linja e tyre kryesore e propagandës është se Tito po shfrytëzon refugjatët për të pushtuar atdheun e tyre. E njëjta gjë vlen dhe për Komitetin anglo-amerikan Shqipëria e Lirë, teksa propaganda e Hoxhës thotë se shpresa e vetme është bashkimi Sovjetik, i cili duke eliminuar Titon do të bashkojë Shqipërinë me Kosovën pa ndërhyrje të huaja. Në vitin 1951 refugjatët u pyetën nëse dëshironin të qëndronin në Jugosllavi apo të emigronin në vende të tjera, por kjo ishte një grackë pasi ata që thanë se dëshironin të largoheshin nga Jugosllavia më vonë u arrestuan e u burgosën. Në 1951 dhe përsëri në 1952 disa gazetarë vizituan qendrat e refugjatëve shqiptarë dhe intervistuan shumë prej tyre. Por refugjatët nuk mund të flisnin hapur prej frikës së hakmarrjes së autoriteteve. Arrestimi i kohëve të fundit i Ndue Bajraktarit pasi tentoi të arratisej për t’i shpëtuar pjesëmarrjes së operacioneve në Shqipëri, është komentuar gjatë nga refugjatët. Kol Çuni, Gjon Gjinaj, Pjetër Gjonmarkaj e Ndue Mëlyshi janë anëtarë të respektuar të BKI. Kur ata erdhën fillimisht në Jugosllavi autoritetet i dhanë fonde dhe sende luksi. Tashmë ata i kanë shitur të gjitha çka zotëronin për t’i ndarë me bashkatdhetarët e tyre. Megjithëse jugosllavët shprehin simpati të hapur për ta, ata nuk i kanë besë dhe i mbajnë në vëzhgim të ngushtë. Nikoll Gjonmakraj për sa kohë jetonte në Mitrovicë mbështetej nga popullsia lokale kosovare. Por më pas ai u ndalua nga Mitrovica prej simpatisë ndaj një reaksionari të njohur çka zemëroi autoritetet. Vdekja e Bardhok Bibës dhe e pro-komunistit Gjonmarkaj, i cili u vra nga kushëriri i tij Pjetër Gjonmarkaj, u prit me indinjatë nga jugosllavët. Kreu i shqiptarëve të Malit të Zi Pajkoviç ka thënë në Prishtinë në takimin me Ndue Pjetrin: “Ti je vrasësi i Bardhokut? Ke vrarë një komunist të jashtëzakonshëm, një hero dhe mik të popullit. Shqipëria nuk do të prodhojë kurrë një tjetër si ai”. At Daniel Fjecaj, i njohur edhe si Mark Gjecaj, Lutfi Spahiu, don Zef Oroshi, janë udhëheqësit më me influencë mes refugjatëve shqiptarë në Jugosllavi, prej kulturës dhe patriotizmit të tyre. Krerët e mëposhtëm malësorë gjithashtu kanë influencë: Mark Tom Marku, bajraktar i Selcës, tashmë në Tuz, ish-kryetar i rajonit të Klementit, Tom Dushi kryetar i Nikshit, Kol Gjon Bajrajtari nga Vukli, Preng Gjato Marku nga Hoti, Mirash Gjoka, kryetar i Shkrelit, Preng Marku i Shalës në Dukagjin, dhe Vuksan Vata bajraktar i Kirit.

Aktivitete rezistence nëntor 1950

Gjatë natës së 2-3 prillit një post i rëndësishëm policie u sulmua në veri të Librazhdit nga një grup prej 22 partizanësh nacionalistë, të drejtuar nga njëfarë Blloshmi, ata morën kontrollin e postës policore dhe vranë komandantin. Mes dokumenteve të gjetura në ndërtesë ishte dhe një urdhër për të ndaluar çdo aktivitet të rezistencës në rajon dhe të raportonin pa vonesë për çdo të dyshuar mes popullatës apo dhe mes vetë anëtarëve të policisë, që mund të influencojë apo sabotojë zgjedhjet. Gjatë natës së 30-31 marsit një grup me agjentë të Ministrisë së Brendshme u sulmua nga rreth 15 anëtarë të rezistencës shqiptare, teksa po udhëtonin nga Tirana drejt Elbasanit. Në incidentin rreth 30 kilometra larg Tiranës, policia pësoi 12 të vrarë ose të plagosur, mes tyre dhe njëfarë Poda, komandant i batalionit të ministrisë. Gjatë vdekjes ai raportohet të ketë thënë: “Ju mund të më vrisni por ju siguroj se jam në anën tuaj, prandaj po vdes pa asnjë mendim hakmarrjeje”. Mes dokumenteve të kapura pas sulmit ishte një urdhër për kontrolle të pozicioneve apo forcës së grupeve të rezistencës në këtë zonë. Aktualisht rreth 85 për qind e popullsisë urbane dhe rreth 95 për qind e popullsisë fshatare janë antikomuniste. Por popullsia qytetare është kryesisht apatike, pranua ka asnjë iniciative, në ndryshim nga zonat fshatare, kryesisht ato të veriut të vendit, të cilat kanë dispozitë të ndihmojnë aktivitetin e rezistencës (deri në muajt mars-prill 1950)

1951: rezistenca kushtet ekonomike

Megjithëse populli shqiptarët jeton në kushte të mjerueshme dhe varfëri, rezistenca e përgjithshme në vend kundër liderëve komunistë nuk po merr përmasat e një revolte të organizuar. Në zonën e Korçës rezistenca është më aktive në pjesën myslimane të qytetit, ndërsa në veri të Shqipërisë rezistenca është aktive mes popullatës katolike. Përplasje me armë dhe incidente të tjera të prishjes së rendit janë të shpeshta në të gjithë vendin. Gjyqe të veçanta lëvizëse shkojnë drejt vendndodhjeve të caktuara pas një revolte dhe japin vendime të shpejta arbitrare për të kapurit. Një tjetër informator raporton se nuk ka shenja të një revolte të gjerë të organizuar, dhe se gjithsesi diçka e tillë konsiderohet e pamundur. Disa nga shqiptarët më të arsimuar janë të djathtë radikalë por shumica e njerëzve nuk mendojnë për programe politike, përveçse për të qenë antikomunistë. I njëjti informator thotë se komunistët në Shqipëri kanë zhdukur ushqimin e vendit dhe mallrat e tjera. Fshatarët jetojnë vetëm me ato që mund të fshehin nga zyrtarët e shtetit që mbledhin prodhimin e të vjelave. Fshatarët mbajnë në shtëpi ushqim vetëm sa për dy-tre ditë, dhe rifurnizohen nga rezerva të fshehura në mal. Dyqanet e fshatrave janë të zbrazura, nganjëherë rrallë kanë kripë ose vajguri. Në zonën e Korçës, sa herë që vjen një dërgesë ushqimi apo mallrash të tjera, autoritetet e ndajnë në dy pjesë, një për fermat kolektive dhe tjetrën për vete dhe anëtart e partisë, duke mos lënë asgjë për popullatën. Këtë vit priten të korra të mira.

Synimet e CIA

Në të kaluarën për arsye të mungesës së direktivave OSO (degë e CIA) i ka përcaktuar vetë objektivat dhe synimet e tij. Kohët e fundit IPC ka marrë disa objektiva, kryesori i të cilëve ishte marrja e informacioneve të mjaftueshme për të na informuar paraprakisht për ndryshime në rëndësinë strategjike të Shqipërisë apo në krijimin e një baze sovjetike aty. Prandaj OSO është duke ndjekur për ndryshime të tilla, siç është zhvillimi i forcës ajrore të Shqipërisë dhe i disa instilacioneve të forcave ajrore, zhvillimi domethënës i tregtisë mes Shqipërisë, vendeve satelite sovjetike dhe Bashkimit Sovjetik, masa e personelit ushtarak sovjetik apo të vendeve satelite në vend. Gjithashtu me rëndësi është informacioni mbi masën e rezistencës anti-komuniste, për efekt të planeve të ardhshme të OPC. Informacionet e marra nga takimet me refugjatët dhe nga operacionet në bashkëpunim me inteligjencën italiane për tregtinë dhe trafikun drejt Shqipërisë, besohet të jenë të sakta në lidhje me nevojat tona të kufizuara të inteligjencës, dhe që do të përdoren në planet e vitit që vjen

Planet e CIA

-1 Janar 1952 deri më 31 dhjetor 1952: Aktualisht OSO ka mjaftueshëm staf të ri shqipfolës që punon me kohë të plotë në operacionet mbi Shqipërinë. Një oficer i vjetër i stafit që punon në Romë, punon edhe ai me kohë të pjesshme mbi operacionet shqiptare. Në selinë kryesore, dega për Shqipërinë ka vetëm një punonjës me kohë të plotë, oficerin e informacionit GS-7. Është kërkuar një tjetër asistent për punën zyrtare

-1 Janar 1953 – 31 Dhjetor 1953 dhe 1 Janar 1954 – 31 Dhjetor 1956: Brenda periudhave të mësipërme është shpresuar që të jetë i gatshëm stafi prej dy deri në katër veta që mund të punojnë mbi operacionet në Shqipëri, pas një trajnimi në fushat e përcaktuara të njohurive, edhe pse më vonë mund të transferohen në zona të tjera të operacioneve.

Personeli dhe struktura

-1 Janar 1952 – 31 Dhjetor 1952: Gjatë kësaj periudhe do të bëhen përpjekje për krijimin e “rrjeteve të rezidentëve” brenda Shqipërisë. Pritshmëritë në lidhje me këto operacione nuk duhet të ekzagjerohen, pasi në këtë rast, ashtu si në raste të kaluara grupet nuk kanë bërë shumë përveçse të mbijetonin, duke dhënë disa kontakte periodike me anë të informatorëve të rastit. Përpjekje do të bëhen gjatë kësaj periudhe për zgjerimin e rrjeteve të rezidentëve brenda Shqipërisë. Në këtë periudhë do të punohet lokalizimin dhe rekrutimin e një agjenti shqiptar në Trieste pasi ish-agjenti ynë atje emigroi dhe ndodhemi pa mbulim në këtë zonë.

-1 Janar 1953 – 31 Dhjetor 1953 dhe 1 Janar 1954 – 31 Dhjetor 1956: Gjatë kësaj periudhe shpresohet që përveç aktiviteteve të vazhduara nga periudha të mëparshme, ne të marrim informacion mbi Shqipërinë me anë të lidhjeve tona me UDB. Nuk janë parashikuar misione të përbashkëta në Shqipëri me UDB, edhe sikur jugosllavët të lejonin pjesëmarrjen tonë, pasi fillimisht operacione të tilla do të kryhen fillimisht kundër Rumanisë e Bullgarisë, të cilat gjithashtu kanë kufij me Jugosllavinë. Agjensia e Lajmeve Sot News

Marketing