Çka trashëgojmë nga nëna e çka nga babai?

Kur lind bebja, njëra ndër gjërat e para të cilat njerëzit përreth përpiqen ta konstatojnë është ajo që kujt i ngjan vogëlushi apo vogëlushja…

Marketing

Siç konstatojnë ekspertët, secili fëmijë është posaçërisht rezultat i vetëm një nga miliarda faktorësh të mundshëm trashëgues, ndërsa kombinimi vjen si rezultat i përzierjes së gjeneve nga të dyja palët. Për shembull, veshët e mëdhenj trashëgohen nga linja e mashkullit, andaj nëse babai juaj ka pasur veshë të tillë, janë shumë të vogla gjasat që ky “brend familjar” t’ju anashkalojë edhe juve. Për tullacët, për shembull, “fajtore” është nëna, përkatësisht babai i saj apo vëllezërit. Nëse dajës tuaj i kanë rënë flokët, janë gjasat shumë të vogla që do të mund të mburreni me flokët tuaj.

Gjithashtu, nëna është “fajtore” edhe nëse keni gishtin e këmbës të madh, sepse ai trashëgohet nga nëna, thonë gjenetikët.

Fëmijët nga nëna trashëgojnë vetëm një kromozom X, që është i pasur me gjene të cilat përcaktojnë pamjen fizike, ndërsa, nga ana tjetër, kromozomi X i babait është i varfër me gjene të tilla. Edhe pse kjo nuk është rregull, në shumë raste është kështu, për ç’arsye edhe ekziston besimi në popull që djemtë gjithmonë u ngjajnë nënave.

Te vajzat situata është krejtësisht tjetër. Ato trashëgojnë njësoj X kromozome nga të dy prindërit, andaj kanë shanse të njëjta që t’u ngjajnë edhe babait edhe nënës.

Karakteristikat të cilat barten me gjenet dominuese janë edhe vrima në mjekër, lilthi i gjerë dhe i butë, vetulla të bashkuara apo të dendura, tufa e bardhë e flokëve, të cilën më së shpeshti e kanë meshkujt, aftësia për t’iu rrotulluar gjuha…

Edhe ngjyra e syve të foshnjës varet nga kombinimi gjenetik. Megjithatë, ekziston një rregull ku është e pamundur që prindërit me sy të errët të kenë foshnje me sy të kaltër. Për dallim nga ata, njerëzit me flokë dhe sy ngjyrë kafe, mund të kenë fëmijë me sy blu, edhe pse nga shembujt më të zakonshëm kanë ngjyrë identike të syve të prindërve dhe të foshnjave. Njerëzit me flokë dhe sy të çelët, kanë mundësi më të madhe që foshnja e tyre ka sy blu apo të gjelbër.

Rregullat gjenetike ekzistojnë edhe kur bëhet fjalë për flokët. Nëse prindërit kanë ngjyrë të çelët, edhe fëmija i tyre do ta ketë të njëjtën nuancë. Nëse njëri nga prindërit e ka ngjyrën më të errët, flokët e foshnjës do të jenë ose të mbyllet ose do ta kenë nuancën e ngjyrës së flokëve të të dy prindërve. Nëse njëri nga prindërit, ka flokë kaçurrela, mundësia e madhe është që edhe fëmija të ketë poashtu flokë kaçurrela.

Një studim i bërë nga Kathleen Wermke, antropologe mjekësore e Universitetit Urzburg në Gjermani, përmes 60 foshnjave franceze dhe gjermane tregoi se pas lindjes ato bërtasin me intonacionin e gjuhës së prindërve të tyre.

Poashtu, era e trupit trashëgohet nga prindërit.

Edhe koeficienti i zgjuarsisë trashëgohet nga prindërit: trashëgohet volumi i substancës gri, sasia e qelizave procesore të trurit, që mbledhin të dhëna; volumi i substancës së bardhë, që lidh një procesor me tjetrin.