Parlamenti Evropian miratoi vendimin për lëshimin e certifikatave digjitale të COVID-19 përmes së cilave blloku evropian synon që të lehtësojë udhëtimet. Lëshimi i tyre do të bëhet duke filluar më 1 korrik. Certifikatat vlejnë vetëm për udhëtim brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ato do të lëshohen për personat e vaksinuar me njërën nga vaksinat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA). Deri më tani, vaksinat e Pfizer/Biontech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnon & Johnson janë miratuar për përdorim në territorin e BE-së. Me ngrohjen e temperaturave dhe përshpejtimin e procesit të vaksinimit shumë shtete kanë miratuar lehtësime për udhëtime dhe po lehtësojnë masat.
Nga kjo e mërkurë, në Francë u rihapën restorantet dhe baret, udhëtarët e huaj me një pasaportë COVID mund të vizitojnë vendin, zvogëlohet me dy orë ora policore që pritet të hiqet plotësisht më 30 qershor.
Norvegjia ndërkohë njofton se ka fituar betejën me pandeminë Covid-19. Autoritetet vlerësojnë se “pandemia ka mbaruar” dhe dolën me grafika të nivelin e ulët të shtrimeve në spitalet norvegjeze gjatë muajve të fundit. Por nga OBSH apelojnë që të mos shpejtohet me konstatime të tilla.
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë lehtësuar masat e udhëtimit teksa po vazhdon procesi i vaksinimit. Në ShBA do të mund të udhëtojnë vendasit e Francës, Spanjës dhe Italisë, që janë në nivelin e tretë të lirimit të masave, por jo edhe të Britanisë së Madhe, që duhet të izolohen për dhjetë ditë pas arritjes në SHBA. Lista përditësohet në bazë të numrit të rasteve për kokë banori.