Ish-trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, është ende pa punë që prej largimit nga Alaves, sezonin e shkuar, duke punuar vetëm pak javë në Spanjë.
Italiani vazhdon të jetë aktiv si analist dhe të japë intervista në mediat italiane, duke komentuar ecurinë e ekipeve italiane, apo çështje si ajo e trajnerit të Milanit Gennaro Gattuso, i cili tashmë rrezikon vendin e punës, diçka që për De Biasi-n është absurde: “Do ishte një vendim i papjekur nëse Milani do e largonte. Rino duhet të mësohet me këto zëra, janë pjesë e futbollit. Ai po bën sa ka mundësi, skuadra është e mirë, por i duhet mentalitet ndryshe dhe te Milani pritshmëritë janë gjithnjë tepër të mëdha”.
Ndërkaq, në një intervistë për Tuttomercatoweb De Biasi zbulon se ka pasur oferta për t’u kthyer në një stol, por ende nuk është bindur: “Kam takuar drejtuesit e federatës së Armenisë, por kam refuzuar. Kam dëshirë të kthehem në drejtim, por me një projekt serioz, për të pasur mundësi të jap më të mirën time. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për klub apo Kombëtare, kam pasur disa telefonata, por nuk do të pranoj kaq lehtë. Chievo? Nuk mbaj mend a më ka bërë ofertë (qesh)”.