Dënohet me burg të përjetshëm autori i vrasjes së 17 personave në një shkollë në ShBA

Një gjyqtare në Florida dënoi me burgim të përjetshëm Nikolas Cruz, personin që vrau me një armë gjysmë automatike 17 persona, mes tyre nxënës dhe anëtarë të personelit të një shkolle në Parkland.

Marketing

Një juri votoi muajin e kaluar për t’i kursyer jetën 24 vjeçarit Cruz, duke hedhur poshtë dënimin me vdekje dhe duke zgjedhur burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht për personin që kreu sulmin më të përgjakshëm në historinë amerikane.

Nikolas Cruz pranoi fajësinë vitin e kaluar për vrasje me paramendim dhe u përball me gjykim 3- mujor.

Gjyqtarja Elizabeth Scherer pranoi një kërkesë të prokurorisë për të lejuar së pari të afërmit e viktimave t’i drejtoheshin gjykatës para se të jepej dënimi. Procedimet e dënimit filluan të martën me deklarimet e të afërmve të viktimave.

Disa prej tyre dënuan ashpër vendimin e jurisë dhe kritikuan aktin ligjor të shtetit që kërkon një vendimarrje unanime të 12 anëtarëve të jurisë për të dënuar me vdekje një të gjykuar.

“Sa i rëndë do të duhej të ishte krimi për të justifikuar dënimin me vdekje?!”, tha Annika Dworet, nëna e një prej viktimave, 17-vjeçarit Nikolas Dworet.

Disa të afërm kritikuan gjithashtu avokatët mbrojtës të autorit të krimit. Zonja Dworet tha se ajo i pa ata “duke qeshur me këtë vrasës gjakftohtë” gjatë gjyqit. Avokatët mbrojtës kundërshtuan gjykatësen të martën, duke vënë në dukje se Nikolas Cruz gëzonte të drejtë kushtetuese për përfaqësim ligjor.

Të afërmit e shumë viktimave iu drejtuan autorit të krimit. Anne Ramsay, nëna e 17-vjeçares Helena Ramsay, i tha atij se ishte “ligësia vetë”, ndërsa Inez Hixon e quajti atë një “terrorist” për vrasjen e vjehrrit të saj, Chris Hixon, profesor i atletikës në shkollë.

Nikolas Cruz ishte 19 vjeç kur kreu sulmin në shkollën “Stoneman Douglas” në Parkland. Ai ishte përjashtuar nga shkolla.

Disa nga të mbijetuarit organizuan një lëvizje të udhëhequr nga të rinjtë për rregulla më të forta për mbajtjen e armëve në Shtetet e Bashkuara, vend i cili ka numrin më të lartë në botë të personave që posedojnë një armë dhe ku sulmet në masë me armë zjarri, janë shndërruar në ngjarje të shpeshta./VOA