Partia Demokratike akuzon sërish PS-në për blerje votash, ndërsa këtë herë sjell shembull nga Bashkinë e Rrogozhinës.
Në një dalje publike për mediat, Grida Duma tha se ka familje që iu është dhënë nga 1 milion deri në 35 milionë lekë, në këmbim të votës.
Mes të tjerash Duma tha se PD-ja ka bërë kallëzim penal në SPAK 5 herë përpara zgjedhjeve.
DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE
Skema kriminale e blerjes së votës nga aleanca Rama-Doshi-Rakipi ka përfshirë çdo qytet, çdo fshat, çdo lagje në të gjithë vendin.
Njësoj si kudo tjetër në Shqipëri, në Bashkinë e Rrogozhinës u zbatua skema e blerjes së votave përmes njerëzve kyçë në administratën shtetërore dhe krimit të organizuar.
3 javë para ditës së zgjedhjeve, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK të gjithë personat kryesorë të përfshirë në skemën e blerjes së votave. Përveç blerjes së votës, ditën e zgjedhjeve në Rrogozhinë u regjistrua edhe akti kriminal i pengimit të votimit nga njerëz të lidhur me Partisë Socialiste.
Kundër këtyre dhe një ushtrie nëpunësish që shpërndanin para, ushqime dhe favore të tjera, që mblidhnin kartat e identitetit për të mos lejuar votimin e mbështetësve të opozitës, Partia Demokratike ka bërë 5 kallëzime penale në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion deri më 25 prill.
Megjithëse pati 3 javë në dispozicion, SPAK heshti duke lejuar mercenarët e aleancës Rama-Doshi-Rakipi të zbatojnë skemën kriminale të blerjes së votave.
Sot, ne po vëmë në dijeni opinionin publik se cilët janë personat e përfshirë në masakrën elektorale të 25 Prillit në Bashkinë e Rrogozhinës duke përfshirë të pesta kallëzimet e dorëzuara në SPAK përpara dhe në ditën e zgjedhjeve.
1
2
3
4
5
Previous
Next
Përmes Këshillit Bashkiak nën kontrollin e plotë nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi, është ndryshuar kategoria e dëmit të shkaktuar nga tërmeti për 1700 familje dhe janë shtuar në skemën e zhdëmtimit edhe 961 familje që nuk ishin kategorizuar si familje të dëmtuara nga tërmeti.
Me vendimet e datave 24.03.2021 dhe 12.04.2021 Bashkia akordoi grante që arrijnë deri në 35 milion lek për familje që thuajse nuk ishin dëmtuar nga tërmeti dhe ka përjashtuar pothuajse familjet e fshatrave Lekaj, Sinaballaj dhe Cikallesh që jetojnë prej 2 vitesh në çadra plastmasi pasi shtëpitë e tyre u rrënuan realisht nga termeti.
Përveç granteve të paligjshme, Bashkia Rrogozhinë ka fryrë strukturën e saj në shkurt të vitit 2021 duke rritur numrin e të punësuarve nga 90 në 317, duke shtuar rreth 227 punonjës. Sipas të dhënave janë punësime të qytetarëve që nuk janë banorë të Rrogozhinës.
•Elidon Bega, me pozicion Këshilltar i Kryetarit të Bashkisë, është nga Berati dhe nuk paraqitej asnjëherë në punë pasi ishte i angazhuar në fushatë për Partinë Socialiste.
•Lulëzim Haliti është nga Lushnja, gjithashtu burri i hallës së Kryetarit të Bashkisë dhe merrte rrogë tek ujësjellësi pa u paraqitur asnjëherë në punë.
•Romina Bega dhe Erald Abazi nga qarku i Elbasanit përfitojnë rrogë nga Bashkia Rrogozhinë megjithëse nuk janë banues në Rrogozhinë dhe nuk janë paraqitur asnjë ditë në punë.
Një tjetër formë kriminale e blerjes së votës në Bashkinë e Rrogozhinës është lejimi i ndërtimeve pa leje me qëllim maksimizimin e votave për Partinë Socialiste. Përmes Sami Dervishit, Drejtor i shkollës 9-vjeçare Karpën, Bujar Dervishit, Specialist në Komisariatin e Policisë Kavajë dhe Arben Memës, Specialist në Komisariatin e Policisë Kavajë dhjetëra shtetas janë favorizuar të bëjnë ndërtime të paligjshme.
Të pasigurt se e gjithë kjo skemë kriminale e blerjes së votës me grantet e rindërtimit, me ndihma ushqimore nga Bashkia për banorët, me favorizime për ndërtime pa leje, regjimi Rama-Doshi-Rakipi dërgoi në qendrat e votimit në Rrogozhinë përfaqësuesit e tij për të penguar në mënyrë kriminale votimin e lirë të qytetarëve.
SPAK është vënë në dijeni të kësaj skeme kriminale që në fillim të muajit prill, por nuk bëri asgjë. SPAK heshti edhe kur Partia Demokratike dorëzoi kallëzimin e pestë në 25 Prill. Kjo strukturë e re e drejtësisë, që ka për detyrë të hetojë e të çojë para drejtësisë ata që manipuluan rezultatin zgjedhor heshti pas çdokallëzimi të Partisë Demokratike për të njëjtën bandë që blinte vota në të gjithë Bashkinë e Rrogozhinës për të nxjerrë Arben Ahmetajn deputet dhe për të mbajtur në pushtet regjimin Rama-Doshi-Rakipi.
Përveç Arben Ahmetajt në skemën kriminale të blerjes së votës kanë marrë pjesë drejtorët më të rëndësishëm të administratës nga qeveria qendore dhe bashkia e Rrogozhinës.
Muharem Troka, babi i Administratores së Njësisë Gosë, Valmira Troka
Fatmir Haska, Kryetar i seksionit Gosë Qender për Partinë Socialiste
Shefit Thartori, punonjës i administratës së Bashkisë Rrogozhinë
Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Rrogozhinë
Elidon Bega, Këshilltar i Kryetarit të Bashkisë
Lulëzim Halit, punonjës i Bashkisë Rrogozhinë.
Romina Bega, punonjës i Bashkisë Rrogozhinë.
Erald Abazi, punonjës i Bashkisë Rrogozhinë.
Rakip Tosku, Shef i Emergjencës Civile në Bashkinë Rrogozhinë
Sami Dervishi, Drejtor i shkollës 9-vjeçare Karpën.
Bujar Dervishi, Specialist në Komisariatin e Policisë Kavajë
Arben Mema, Specialist në Komisariatin e Policisë Kavajë.
Elvis Hoxha
Janë dhjetëra përfaqësues të Partisë Socialiste, drejtues të administratës qendrore dhe lokale, njerëz të krimit të organizuar që janë identifikuar nga Partia Demokratike në veprimtarinë kriminale të blerjes së votes dhe pengimit të procesit të votimit. Prej më shumë se 1 muaji, SPAK-ut i janë vënë në dispozicion numrat e tyre të telefonit dhe zona ku veprojnë për ta shpërndarë para për blerjen e votave, por ata u lanë të lirë të deformojnë vullnetin e zgjedhësve.
Kjo nuk është çështje e politikës. Madje as çështje e Partisë Demokratike, është për të ardhmen tonë, të fëmijëve tanë dhe të demokracisë. Shqipëria sot ka humbur, por nëse ne do të kishim fituar me banda, Shqipëria do të kishte humbur edhe nesër, jo vetëm sot. Detyra jonë është të qëndrojmë të vendosur.