Ministria e Punëve të Brendshme është në pritje të përgjigjes së përfaqësuesve të rrjetit social “Telegram” për t’i identifikuar sa më parë dy administratorët dhe dy moderatorët e grupit “Dhoma Publike”, ku shpërndaheshin përmbajtje erotike në mesin e adoleshentëve.
“Deri tek “Telegrami” i Britanisë së Madhe dërguam kërkesë për të na informuar për numrat e telefonave të dy administratorëve dhe dy moderatorëve të grupit. Deri tani ende nuk kemi marrë përgjigje. Intensivisht po punohet në terren dhe deri në këto momente kemi informacione relevante për të indentifikuar një pjesë të personave të cilët e kanë menaxhuar grupin, por për shkak të hetimeve, nuk do të kisha zbuluar emra konkretë, pasi që janë në fazë të parahetimeve dhe se presim përgjigjen zyrtare nga “Telegrami””,- tha ministri i brendshëm, Nake Çulev.
Sipas informacioneve të deritanishme që posedon MPB e që Çulev i ndan me mediat, në grupin “Dhoma Publike” janë shpërndarë rreth 800 fotografi dhe video nga rrjetet tjera sociale “Facebook” dhe “Instagram”, ndërsa ka pasur po ashtu edhe përmbajtje personale të anëtarëve.
Çulev konfirmon faktin se anëtarët e këtij grupi kanë pasur pseudonime me personat e njohur publik, për këtë arsye hetimet vijojnë edhe në drejtim të identifikimit të përdoruesve realë.
Për këtë është informuar edhe Prokuroria Themelore Publike, ndërsa po bëhen përpjekje për t’i identifikuar viktimat e këtij grupi.
“Deri tani kemi identifikuar dy viktima, raste që me siguri do të trajtohen për keqpërdorim të të dhënave personale në këtë grup. Njëherit janë dhënë udhëzime deri tek të gjithë sektorët e brendshme të identifikojnë viktimat ose personat tjerë që do të denoncojnë vullnetarisht se u janë keqpërdorur të dhënat e tyre.”,- tha ministri i brendshëm, Nake Çulev.
Hetimet e MPB-së dhe Byrosë për Siguri Publike filluar këtë fundjavë, pasi u raportua mbi ekzistimin e këtij grupi, ku brenda një muaj e gjysmë sa ekziston grupi janë shpërndarë fotografi dhe video të vajzave me përmbajtje intime kryesisht nga nxënës të shkollave të mesme.