Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në konferencë për shtyp në Poznanj, ku po mbahet Samiti për Ballkanin Perëndimor në suaza të Procesit të Berlinit, porositi se hyrja e vendeve të rajonit në BE paraqet kompletim, e jo zgjerim.
“Kur mendojmë për rajonin, mendojmë sikur rajoni kufizohet me BE-në, ndërsa praktikisht rajoni ynë është i rrethuar me vende anëtare të BE-së”, tha Dimitrov. Kur një ditë këto vende do të meritojnë dhe hyjnë në BE, harta e BE-së nuk do të bëhet më e madhe, fjala zgjerim nuk e reflekton realitetin, fjalë më e mirë është kompletimi sepse kemi vrimë”, arsyetoi ministri Dimitrov.
Ai gjithashtu theksoi se Procesi i Berlinit, në suaza të të cilit po organizohet ky samit i gjashtë për Ballkanin Perëndimor, nuk është zëvendësim për procesin e anëtarësimit në BE, por përgatitje për të.
Dimitrov e konfirmoi edhe lajmin se vitin e ardhshëm Maqedonia e Veriut së bashku me Bullgarinë do të bashkëkryesojë me samitin për Ballkanin Perëndimor, që, tha ai, paraqet simbolikë të rëndësishme, posaçërisht pas tensioneve me fqinjen dhe “joafërsinë jonatyrore” që u krijua mes dy vendeve.
Në konferencë të përbashkët për shtyp mes Dimitrovit dhe kolegëve të tij nga Gjermania, Polonia dhe Bullgaria edhe njëherë u konfirmua angazhimi i këtyre vendeve të fillojnë negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë më së voni deri në tetor.
Ministri gjerman për Evropë, Mihael Rot, theksoi se situata tregon nga ana e Gjermanisë ka mbështetje të përforcuar për Ballkanin Perëndimor, por se të gjithë duhet t’i rrisin përpjekjet për integrim të rajonit në BE.
Ministri polak i Punëve të Jashtme, Jacek Çaputoviç, nga ana e vet, shprehi keqardhje që vendimi për fillim të negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë ishte shtyrë prej qershorit për në tetor.