Me muzikë, tupanë dhe skarë u shënua festa e 1 Majit në vend. Shumica e qytetarëve edhe pse e dinin kuptimin e festës, kishin shfrytëzuar këtë ditë jo punë për t’u argëtuar me familjen dhe shoqërinë në Saraj. Ata thonë se duhet të protestohet por piknikët e 1 majit janë shndërruar tashmë në traditë.
“Siç po shihet më shumë po festojnë sesa po protestojnë. Zakonisht duhet me protestu se është festë e 1 majit, e punëtorit, duhet të protestohet por nuk po protestojnë.”
“Duhet të protestohet por ne jemi plakur më, tani të rinjtë duhet të protestojnë, ne të pushojmë. Ne kemi protestuar më herët…”
Nuk mungonin as vizitorët nga Kosovë dhe vendet e tjera.
“Jemi prej Kaçanikut, vijmë çdo vit. Normal 1 maji është ditë e punëtorëve, për të drejtat e tyre por ne që punojmë e kemi sot festë”.
Kjo situatë më së shumti i gëzon shitësit pasi shtohet puna e tyre.
“Shitja është pak më e madhe, ka intensitet të njerëzve, ka lëvizje më shumë. Çmimet janë normale por situata ekonomike e njerëzve dihet, por qarkullimi bëhet. Dalim çdo vit, jemi të kënaqur për fitimin.”
Por nga ana tjetër qytetarët vlerësojnë se çmimet janë paksa të larta për standardin e vendit.
“Një pjesë e vogël e mishit të pulës është 90 denarë. Shtrenjtë është. Njerëzit nuk kanë të holla.”
1 Maji shënohet në mbarë botën si Dita e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve. ALSAT-M