Dogana zbulon municion të padeklaruar në një kabinë të shoferit
Zyrtarët Doganorë të Doganës së Kosovës, në Zyrën e Brendshme Doganore në Ferizaj, gjatë procedurave të zhdoganimit të mallit të një mauneje, kanë realizuar kontroll fizike të ngarkesës.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të dokumentacionit dhe mallrave, zyrtarët doganorë kanë identifikuar një faturë që lidhej me një armë të ftohtë (pushkë), çka ka ngritur dyshime për praninë e mundshme të artikujve të tjerë të ndërlidhur me armë.
“Bazuar në këto dyshime, zyrtarët doganorë kanë zgjeruar kontrollin edhe në kabinën e maunes dhe në sendet personale të shoferit. Gjatë kontrollit të çantës personale janë gjetur dy kuti me municion, gjithsej 20 copë”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, rasti është proceduar më tej në përputhje me kompetencat ligjore dhe procedurat përkatëse.
Po ashtu u tha se Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe zbulimin e çdo forme të kontrabandës dhe mallrave të ndaluara, duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme dhe duke bashkëpunuar me institucionet kompetente për garantimin e sigurisë dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.
Burimi: botasot.info /
Aktuale.mk
