“Të fala nga Manastiri” është libri i ri gazetarit manastiras Qenan Hasani, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar. Lajmin për daljen në dritë të librit e bëri të ditur gazetari Daut Dauti.
“Kur ndërroi jetë miku dhe kolegu Qenan Hasani, e la gati për botim librin “Të fala nga Manastiri” Sonte m’u lajmërua i nipi, Ardiani, duke më treguar se libri i tij i tretë doli nga shtypi. Një sihariq për lexuesit që duan ta kujtojnë të palodhurin dhe shqiptarin bujar nga Qyteti i Alfabetit. Vepra e tij do të ruaj kujtimin dhe do ta mbulojë zbrazëtirën që la ikja e tij….”, ka shkruar gazetari Dauti.
Qenan Hasani u lind me 20 maj të vitit1940 në fshatin Desovë të Prilepit. Katër klasat e shkollës fillore i kreu në vendlindje në gjuhën shqipe, tetëvjeçaren në Dollneni të Prilepit në gjuhën maqedonishte dhe të mesmen e kreu në Prilep. Akademinë Pedagogjike e kreu në Qytetin e Alfabetit në Manastir, ndërkaq ka punuar plot 40 vite si mësues në shkollën fillore të fshatit Këshavë të Manastirit.
Edhe pse me profesion ka qenë mësues, për dekada me radhë ai ka qenë i pranishëm edhe në faqet e shtypit, sidomos në gazetat Flaka, Fakti dhe Koha, por dhe në radio e TV stacione.
Për dekada me radhë ai në shkrimet e tij ka trajtuar problemet e shqiptarëve të kësaj ane, numri i të cilët gjithnjë e më shumë po zvogëlohet. Disa nga skicat dhe reportazhet e shumta të botuara midis viteve 1989 dhe 2004, kryesisht në gazetat FLAKA, FAKTI dhe Koha ai i përmblodhi në librin “Kronisti i vetmuar në qytetin e konsujve”.