Drejtori Sela vizitoi Fondin e Sigurimit Pensional

Sot, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës së RMV-së (AZGJ), Ylber Sela, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tij, e vizitoi Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Republikës së Maqedonisë së Veriut (FSPIRMV), ku u prit nga homologu i tij Shaip Zeneli, si dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në këtë takim pune u fol lidhur me përmbushjen e detyrimit ligjor nga ana e institucioneve shtetërore për sa i përket dygjuhësisë.

Marketing

Drejtori i FSPIRMV-së, Shaip Zeneli e informoi homologun e tij lidhur me dinamikën e realizimit të dygjuhësisë në këtë institucion. Po ashtu edhe drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela u tregua i gatshëm për të ndihmuar në aspektin e përkthimit dhe lekturimit të dokumenteve zyrtare për nevojat e këtij institucioni.

Gjatë kësaj vizite u vërejt që në hyrje të FSPIRMV-së se të gjitha tabelat ishin bërë në dy gjuhë. Pa dyshim, faza e parë është realizuar më herët, ndërkaq tani është në proces edhe realizimi i fazës së dytë. Për këtë arsye mund të thuhet se ky institucion është një shembull shumë i mirë i zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, të cilin duhet ta ndjekin edhe institucionet e tjera të cilat ende nuk kanë filluar.

Me këtë rast drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela në fund i shpërndau edhe disa broshura në dy gjuhë për nevojat e qytetarëve që të informohen me saktësi lidhur me të drejtat e tyre gjuhësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Marketing