“Drita e Gonxhes” u ndez në Shkup

Sot, në sheshin e Shkupit, aty ku është pllaka përkujtimore e
vendlindjes së Nënës Terezë, u hap manifestimi kulturor-shkencor
“Drita e Gonxhes”, që sivjet ia fillon si edicion i veçantë i
organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të
Shqiptarëve – Shkup.

Marketing

Ceremonia filloi duke vendosur lule të freskëta mbi pllakën
përkujtimore të Nënës Terezë. Me këtë rast lule vendosën delegacioni i
Institutit, i përfaqësuar nga drejtori Dr. Skender Asani, delegacioni
i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut – e përfaqësuar nga
zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, Universiteti “Nëna Terezë”,
i përfaqësuar nga rektori, Akad. Izet Zeqiri, ambasadori i Republikës
së Kosovës, z. Florian Qehaja, nga bashkësitë fetare – Kryetari i
BFI-së, H. Shaqir ef. Fetahu, Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës
dhe z. Pepi Levi nga Bashkësia Hebraike e Maqedonisë së Veriut, si dhe
drejtori i Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë, Naser Curri.
Pastaj filloi manifestimi, me ç‘rast fjalën e hapjes e pati drejtori i
Institutit, Dr. Skender Asani, i cili me këtë rast tha: “Të merresh me
jetën dhe veprën e Nënës Tereze, nuk është një punë thjeshtë rutinore,
por është më tepër ballafaqim me të panjohurat që dalin gjatë
depërtimit në botën e saj komplekse e shumëdimensionale. Sepse Nënë
Tereza nuk ishte vetëm një bëmirëse, siç perceptohet gabimisht në një
pjesë të opinionit publik, por ajo parasëgjithash ishte patentuese e
një sistemi të veçantë të sjelljes dhe qasjes ndaj çështjeve të
mprehta shpirtërore që askush tjetër nuk i trajtonte dhe nuk i njihte
më mirë se ajo.”

“Sivjet kur po e organizojmë edicionin e dytë të manifestimit
tradicional kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”, që përkon me 112
vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së Nënës Tereze, kemi
arritur të aktivizojmë një gamë të gjerë resursesh intelektuale e
institucionale brenda dhe jashtë vendit tonë, sepse konsiderojmë se
nuk mjafton të kesh në duar një kauzë të madhe humane e civilizuese
siç është Nëna Tereze, por duhet edhe strategji konkrete për ta
shndërruar këtë kauzë në një dioptri më të zgjeruar.”, përfundoi ai.
Pas tij të pranishmëve iu drejtua zëvendëskryeministri i parë i
Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili
theksoi se: “Nuk është e rëndësishme sa është një popull i madh, por
çfarë vlera të mëdha kultivon.”, duke aluduar se Nëna Terezë i takonte
një populli të vogël, siç janë shqiptarët, por bëri emrin e madh në
botë me veprën e saj.

Në cilësinë e biografit dhe përfaqësuesit të Ipeshkvisë së Kosovës,
fjalë rasti pati edhe Don Lush Gjergji, i cili theksoi se: “Nëna
Terezë nuk është vetëm e madhe, as nuk është vetëm bamirëse dhe vetëm
humane. Ajo është imitimi më i mirë i njerëzores në botë. Prandaj, atë
nuk duhet vetëm ta madhërojmë, por duhet edhe ta imitojmë”.
Kreyetari i Shoqatës “Shkupjania Nëna Terezë”, Dimçe Petrushevski,
duke e përshëndetur shënimin e 112-vjetorit të lindjes, theksoi se “Ne
të gjithë duhet ta ndjekim shembullin e dashurisë që e reflektonte
Nëna Terezë”.

Si kryeredaktor i botimit “Drita e Gonxhes”, Emin Azemi, foli jo vetëm
për personalitetin e Nënës Terezë, por edhe për edicionin e ri që i
dedikohet pikërisht figurës së Nënës Terezë dhe do të jetë një botim i
përvitshëm.

I fundit foli drejtori i Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë, Naser
Curri, i cili duke përkujtuar një ngjarje të një plaku të vetmuar në
Australi, në dhomën e errët të të cilit Nëna Terezë e kishte ndezur
një llambë, përcolli porosinë se Drita e Gonxhes nuk shuhet asnjëherë.
Ky manifestim po organizohet me rastin e 112-vjetorit të lindjes dhe
25-vjetorit të vdekjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë.