DW: Gjermania përpiqet të bindë Francën për Shqipërinë

Deputeti gjerman i CDU-së, Johann Wadephul shprehet për Deutsche Wellen, se Gjermania po përpiqet të bindë Francën për të dhënë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Marketing

Nëse Gjermania ka një qëndrim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bashkimit Europian me Shqipërinë, Franca është vendi që ka dyshime për këtë hap, krahas Holandës.

Bundestagu pritet të konfirmojë të enjten këtë (28.06) çeljen e negociatave me Shqipërinë pas rekomandimit pozitiv për negociatat të grupit parlamentar konservator, CDU/CSU të shoqëruar me kushte. Por qëndrimi i Francës mbetet skeptik. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron kërkon që BE të reformohet më parë, pastaj të merret me zgjerimin. Por pala gjermane nuk është e këtij mendimi.

Deputeti gjerman i CDU-së, Johann Wadephul është shprehur për Deutsche Wellen, se Gjermania po punon për të bindur Francën në këtë drejtim. “Ne po shpenzojmë shumë energji që të bindim miqtë tanë francezë që të hapen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë”, tha Wadephul.

Deputeti konservator gjerman thekson, se “megjithë vërejtjet kritike që kam bërë për Shqipërinë, dua të them në veçanti, se ne gjermanët dhe fraksioni i CDU/CSU-së gëzohemi që kemi kontakte miqësore me Shqipërinë, që Shqipëria është një vend mjaft miqësor ndaj Europës dhe ne duam që ta shoqërojmë pozitivisht atë në rrugën drejt Europës. Kjo nuk do të thotë, që i harrojmë kritikat që kemi.”

Edhe eurodeputeti gjerman, socialdemokrati Knut Fleckenstein nuk e përkrah qëndrimin pritës francez për negociatat. Ai i tha Deutsche Welles, se Franca ka rezerva, por “mendoj se ky është një argument i gabuar, sepse negociatat nuk zgjasin disa ditë, por me vite dhe në këtë kohë mund të kryhen reformat tona të nevojshme për të pranuar vende të tjera.”