Dy penallti dhe një gol i anuluar i West Hamit ia japin Man Unitedit fitoren

Manchester Unitedi ka arritur të sigurojë fitore me rezultat 2:1 në ndeshjen e zhvilluar kundër West Hamit, në stadiumin “Old Trafford”, në kuadër të xhiros së 32-të të Premierligës.
Tri pikët e radhës për Manchester Unitedin në Premierligë u siguruan përmes dy golave të shënuara nga pika e penalltisë dhe një goli të West Hamit të anuluar në mënyrë kontroversë për shkak të pozitës jashtë loje, raporton Gazeta Express.
Manchester Unitedi fillimisht kaloi në epërsi në minutën e 19-të të ndeshjes, kur Paul Pogba u tregua i saktë nga pika e penalltisë.

Marketing

Pjesa e dytë nuk filloi kaq mirë për “Djajtë e kuq”, të cilët pranuan gol në minutën e 49-të të ndeshjes, përmes Felipe Andersonit, që e barazoi rezultatin për West Hamin.
Lojtarët e Manchester Unitedit i humbën disa mundësi të mira për të kaluar në epërsi pas këtij goli, mirëpo edhe portieri David De Gea i shpëtoi disa herë duke bërë pritje të mrekullueshme.

Dhjetë minuta para fundit të ndeshjes, Pogba iu tregua sërish i saktë nga pika e penalltisë dhe ia siguroi skuadrës së tij fitoren e dytë në gjashtë ndeshjet e fundit të zhvilluara.
Kjo fitore vjen për Manchester Unitedin para ndeshjes së rëndësishme në Camp Nou kundër Barcelonës, e cila zhvillohet të martën në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.
Tani, Manchester Unitedi është kthyer në pozitën e pestë në tabelën e Premierligës, me dy pikë më pak se Chelsea e tre pikë më pak se Tottenhami, që radhiten në pozitën e katërt dhe të tretë në tabelën e Premierligës.