E konfirmuar, buxhetin për fushatën – do ta udhëheqin Kuvendi dhe Qeveria

Buxheti për fushatën për referendumin në vijim tashmë është konfirmuar dhe është projektuar në 80 milionë denarë të cilat do t’i dorëzohen në disponim Kuvendit të Republikës së Maqedonisë si propozues i referendumit.

Marketing

Mjetet do të sigurohen nga rezerva rrjedhëse buxhetore, ndërkaq nëse në fund të fushatës ka mjete të pashpenzuara, ato do të kthehen në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë.

Dje, njerëzit e parë të grupeve të deputetëve në takim koordinues tek kryetari i Kuvendit, në të cilin nuk mori pjesë vetëm VMRO-DPMNE, u dakorduan të formohet Trup koordinues për zbatimin e referendumit, me të cilin do të udhëheqë spikeri Talat Xhaferi, ndërsa anëtarë do të jenë nënkryetarët dhe koordinuesit e grupeve të deputetëve.

Kuvendi, siç informuan nga atje, do t’u japë mundësi të gjithë deputetëve të cilët janë “për”, “kundër” apo për “bojkot” të referendumit, në mënyrë proporcionale sipas deklarimit të përfaqësohen dhe të mund t’i shprehin qëndrimet dhe argumentet e veta para opinionit.

Nga Qeveria, ndërkaq, dje informuan se do të zbatojnë proces të komunikimit të planifikuar publik të interesit publik përmes komunikatave, brifingjeve, konferencave për shtyp, intervistave dhe pjesëmarrjeve në radio dhe televizione, si dhe vizita terrenore, takime joformale, pjesëmarrje në ngjarje publike. Do t’i shfrytëzojnë edhe mediumet sociale si Fejsbuk, Instagram, Tuiter, Flikr dhe JuTjub, për çka do të ndajnë 400.000 denarë nga buxheti i rregullt i Sekretariatit të përgjithshëm të Qeverisë.

Vendimin për fushatën me karakter informues e solli Qeveria në mbledhjen e kaluar. Me fushatën, qytetarët duhet të informohen për përfitimet nga hyrja e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, për marrëveshjen përfundimtare për zgjidhje të kontestit mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin dhe për partneritetin strategjik dhe të thirren për ta realizuar të drejtën e votimit në referendum dhe marrjen e përgjegjësisë për sjellje të vendimeve të rëndësishme.