Ekspertët: Zgjedhja e treshes së re evropiane shenjë e mirë për Maqedoninë e Veriut

Zgjedhja e krerëve të rinj të Bashkimit Evropian mund të interpretohet si sinjal i mirë për vendin. Ekspertët konsiderojnë se nëse zgjedhja e re konfirmohet edhe formalisht në Parlamentin Evropian, ka gjasa që Maqedonia e Veriut të marrë datë për fillimin e bisedimeve në tetor të këtij viti.

Marketing

Shefat e shteteve ose qeverive të vendeve anëtare të BE-së të martën në mbrëmje, pas bisedimeve treditore maratonike dhe të tensionuara, zgjodhën treshen evropiane që do të jetë në krye të Bashkimit Evropian. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursulla fon der Lajen është kryetare e re e Komisionit Evropian. Kryeministri belg Sharl Mishel do të jetë kryetari i ri i Këshillit Evropian, ndërsa shefi i diplomacisë spanjolle Zhosep Borell do të marrë postin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Fon Der Lejen vlen si ithtar më i fuqishëm i integrimit të BE-së dhe angazhohet për bashkëpunim më të afërt ushtarak mes anëtareve të Bashkimit, Ajo ishte njëra prej mbështetësve më të mëdhenj të politikës së kancelares Angela Merkell për dyer të hapura për emigrantët.

Ekspertët konsiderojnë se, duke marrë parasysh faktin se edhe kancelaria Merkel deklaroi para do kohë se personalisht do të angazhohet dhe do të bëjë çmos që vendi të marrë datë për bisedime në tetor, zgjedhja e Der Lejenit konsiderohet si shenjë e mirë për ne.

Analisti Aleksandar Kërzhallovski nga QMBN-ja deklaroi për MEDIAL-n se zgjedhja befasuese e Këshillit Evropian me nominimin e Ursulla fon der Lajen, mund të interpretohet si e volitshme për ne.

“Si ministre shumëvjeçare në kabinetet e Merkelit, si dhe federaliste/integruese e konfirmuar, mund të pritet “sforcim” më intensiv i politikave të deritanishme të Gjermanisë, duke përfshirë edhe zgjerimin. Fitohet përshtypje se edhe Makroni është i kënaqur nga epilogu (ndërsa edhe të gjithë liderët tjerë të vendeve të BE-së), me çka pres retorikë më të butë për dallim nga deklarata e së hënës “që të mos ia përmendin zgjerimin”, vlerëson Kërzhallovski.

Makron, me fjalë të tjera, të hënën tha se refuzon zgjerimin e Bashkimit, para reformës së thellë institucionale në BE.

“Megjithatë, debati për këtë përbërje do të ashpërsohet në Parlament dhe mendoj se nuk do të kalojë lehtë propozimi, por edhe besoj se liderët i kanë bërë matematikat e duhura që të ketë mbështetje të mjaftueshme për zgjedhjen e tyre”, thekson Kërzhallovski.

Vlerëson se, në se konfirmohet propozimi, mund të jemi optimistë pak më të mëdhenj, gjegjësisht se është e mundshme të marrim datë për fillimin e bisedimeve në tetor, ndonëse sipas tij, kjo nuk do të ketë rëndësi të madhe, përveç nëse, siç shprehet, për sukses simbolik dhe më shumë për “konfrontime” lokale të pushtetit dhe opozitës.

“Ndonëse kjo nuk do të thotë shumë (përveçse suksesit simbolik, më shumë për “konfrontime” lokale të pushtetit dhe opozitës), meqë ose kjo datë do të jetë për vitin e ardhshëm ose ndonjë vit tjetër më tutje, ose nga ana tjetër me të vërtetë vendoset të fillojmë me bisedime në dhjetor/janar, atëherë bisedimet do të zgjasin së paku deri në vitin 2028, sa është sot projeksioni i institucioneve evropiane”, shprehet Kërzhallovski.

Edhe analisti Petar Arsovski, konsideron se ndryshimet, gjegjësisht marrëveshja për pozicionet kryesore në Bashkimin Evropian, është sinjal i mirë për Maqedoninë, meqë tregon se Franca dhe Gjermania më së shumti, të cilat momentalisht janë më të fuqishme pas Bregzitit në Bashkimin Evropian, mund të bëjnë kompromis për çështjet kryesore politike.

“Ky mund të jetë sinjal i mirë për njëfarë gjuhe të përbashkët për zgjerimin. Kështu që në këtë drejtim, ne duhet ta interpretojmë këtë si shenjë të mirë për datë për bisedime për Maqedoninë”, tha Arsovski për MEDIAL-n.

Kryetarja e e re e KE-së Ursulla fon der Lejen, sipas kryeministrit Zoran Zaev, është mike e dëshmuar e Maqedonisë së Veriut. Siç deklaroi dje Zaevi, ajo, si ministre e deritanishme e Mbrojtjes e Gjermanisë gjithmonë e ka mbështetur vendin, në mënyrë më eksplicite për integrimin në NATO.

“Ajo mban një ndjenjë të madhe për zgjerimin si proces, pa marrë parasysh nëse është kjo për NATO-n ose BE-në. Te kryetarja e re ne kemi një mik të madh”, tha Zaevi dhe shtoi se ka pasur rastin deri tani të kontaktojë edhe me funksionarët e tjerë të sapozgjedhur të BE-së, të cilët siç u shpreh, do të punojnë në interes të vendeve kandidate, por edhe vetë Bashkimit Evropian.

Edhe zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska konsideron se zgjedhja e Der Lejen do të thotë mbështetje të procesit të zgjerimit të Bashkimit.

Shekerinska, në profilin e saj në Fejsbuk përgëzoi Der Lejenin për nominimin për kryetare të Komisionit Evropian.

“Gruaja e parë në këtë pozicion dhe ministre fenomenale e Mbrojtjes”, shkroi Shekerinska në Fejsbuk.

Ursula fon der Lejen qëndroi për vizitë në vend në shtator të vitit 2018, ndërsa nikoqire e kishte Shekerinskën. Atëherë, Fon del Lejen e theksoi rëndësinë e referendumit dhe porositi se BE-ja dëshiron të ndërtojë të ardhmen me vendin.