Erdogan: Pas luftës, Gaza duhet të jetë pjesë e një shteti të pavarur palestinez

Presidenti turk Tajip Erdogan tha se pasi të përfundojë lufta Izrael-Hamas, Gaza duhet të jetë pjesë e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez.

Marketing

Turqia, e cila ka përshkallëzuar kritikat e saj ndaj Izraelit ndërsa kriza humanitare në Gaza është intensifikuar, mbështet një zgjidhje me dy shtete dhe ndryshe nga SHBA, Britania dhe vende të tjera perëndimore, nuk e konsideron Hamasin organizatë terroriste. Turqia ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe ka ofruar të jetë ndërmjetëse për ta garantuar atë.

Duke folur me gazetarët në një udhëtim me avion duke u kthyer nga Kazakistani të premten, Erdogan përsëriti kritikat ndaj vendeve perëndimore për mbështetjen e tyre ndaj Izraelit, duke thënë se besimi i Ankarasë tek Bashkimin Evropian ishte “lëkundur thellësisht”

“Pasi të përfundojë kjo që po ndodh, ne duam ta shohim Gazën si një rajon paqësor që të jetë pjesë e një shteti të pavarur palestinez, në përputhje me kufijtë e vitit 1967, me integritet territorial dhe me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet”, u citua të thoshte Erdogan nga disa media.

“Ne do të mbështesim formula që do të sjellin paqe në rajon. Ne nuk do të mbështesim plane që keqësojnë më tej jetën e palestinezëve, që i fshijnë ata gradualisht nga skena e historisë.”

Ai tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte autori i vetëm i situatës në Gaza, por se nuk mund të ketë shkëputje të plotë të marrëdhënieve në diplomacinë ndërkombëtare. Megjithatë, Ankaraja tha më vonë të shtunën se po thërret ambasadorin e saj në Izrael, Sakir Ozkan Torunlar, për konsultime, pasi Izraeli tërhoqi të dërguarit e tij në Turqi muajin e kaluar për të rivlerësuar lidhjet mes dy vendeve pasi presidenti Erdogan i quajti militantët e Hamasit “luftëtarë të lirisë”. /VOA