Erdogan sëmuret live gjatë intervistës, ndërpritet papritmas transmetimi (VIDEO)

Gjatë një interviste live në një prej mediave turke, mbrëmjen e së martës, presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nuk është ndjerë mirë.

Marketing

Kjo u raportua sot në mëngjes nga mediat, që kanë shpërndarë një video ku shihet sesi moderatori ngrihet për një moment nga karrigia dhe më pas ulet përsëri, ndoshta për të shmangur panikun.

Transmetimi është ndërprerë papritmas, pa e shfaqur Erdoganin nga kamera.

Pas një pauze të gjatë në transmetime të drejtpërdrejta, Erdogan u shfaq sërish për të vazhduar intervistën, duke u kërkuar falje publikut dhe shikuesve dhe duke thënë se ditët e fundit kanë qenë shumë të lodhshme për shkak të fushatës elektorale dhe për më tepër vuante nga ftohja.

Zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalin, siguroi, me një mesazh të publikuar në faqen e tij zyrtare në Twitter, se Erdogan “është në gjendje të mirë shëndetësore”.

Erdogan ka anuluar angazhimet elektorale të planifikuara për sot. Këtë e bëri të ditur vetë presidenti në Twitter, duke njoftuar se do të qëndrojë në shtëpi “nën këshillën mjekësore” duke anuluar tre daljet publike të planifikuara për sot, më pak se 20 ditë para zgjedhjeve presidenciale të 14 majit.