Eurodeputetët takohen me Ruçin: Po humbasim durimin me opozitën, negocioni për integrimin!

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka zhvilluar një takim me eurodeputetët që kanë mbërritur në Tiranë për të diskutuar zgjidhjen e mundshme të krizës politike në vend, por duket se tonet nuk janë të linjës së “dialogut”. Më i ashpri prej eurodeputetëve është shfaqur raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein.

Marketing

“Po humbas durimin nga qëndrimi i deputetëve të opozitës. Protestat duhet të ruajnë qetësinë, pasi pamjet e dhunës në protesta vonojnë integrimin e vendit. Për më tepër, zonja e parë e vendit nuk duhet të pengojë negociatat. I bëjmë thirrje Këshillit Europian të vlerësojë arritjet e Shqipërisë”, ka thënë Knut Fleckenstein, eurodeputet gjerman.
Disi më i butë, por jo pak kritik, është shfaqur edhe Tunne Kelam.

“PE mbetet mbështetës i madh i anëtarësimit të Shqipërisë. Përpjekjet për të vonuar çeljen e negociatave nuk kanë mbështetjen tonë. Reforma në Drejtësi është thelbësore për qeverisjen dhe besimin e qytetarëve. Është përgjegjësia e të gjithëve ju që të bashkëpunoni për interesin kombëtar, ndërsa ne po largohemi me përshtypje pozitive për arritjet tuaja, por me përshtypje negative për ndarjen politike dhe mungesën e bashkëpunimit”, tha Tunne Kelam.

Ai ftoi politikanët shqiptarë të arrijnë konsensusin dhe t’iu dërgojnë sinjale pozitive për negociatat europarlamentarëve. Një qëndrim që e ndau edhe eurodeputeti Preda. “Kam vëzhguar zgjedhjet e vitit 2017 dhe ishin korrekte. Më 5 mars informojmë PE-në për arritjet tuaja, ndërsa ka ende mundësi që opozita të kthehet në Kuvend. Pas 10 ditësh do të jetë vonë”, tha ai.

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë informoi delegacionin e Parlamentit Europian mbi ecurinë e Shqipërisë deri tani.
“Objektivat për integrimin janë drejt përmbushjes, Reforma në Drejtësi po ecën me shumë sukses. Vettingu është jetik për drejtësinë dhe Shqipërinë, ndaj në qershor, organet e reja të sistemit do të jenë në funksion të plotë. Reforma ka mbështetjen e 99% të shqiptarëve. Sa i përket Reformës Zgjedhore, paketa është depozituar në Kuvend. Parlamenti është legjitim sepse vjen nga zgjedhje të ndershme, teksa ato të 2017-s janë certifikuar nga 100% e numëruesve të opozitës. Edhe pse zgjedhjet kanë probleme, ato zgjidhen në Kuvend, ku ne jemi në dispozicion të opozitës, e cila gëzon të drejta si kurrë më parë”, theksoi Ruçi.