EVN Maqedoni edhe 5 vite do t’i furnizojë qytetarët me energji elektrike

Konzorciumi i përbërë nga EVN Maqedoni dhe EVN furnizim do t’i furnizojnë me energji elektrike, qytetarët që nuk duan të dalin në tregun e liberalizuar. Kjo kompani dha ofertën më të mirë në ankandin elektronik. Ka ofruar marzhë prej 11.5% dhe ka qenë më e mirë se oferta e ELEM –Trejd. Fitorja e EVN-së do të thotë se qytetarët me rrymë do furnizohen si deri më tani dhe nuk do ketë nevojë të lidhin marrëveshje të reja.

Marketing

Nga çmimi i ofruar fillestar, përkatësisht përqindjes në margjinat e fitimit prej 14.4% që ishte çmimi fillestar i ankandit, çmimi në interes të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut u ul për thuajse 30% dhe çmimi i fundit është 11.5%. Me këtë garantohet se do mbetet përfitimi më i madh për qytetarët – deklaroi Koço Angjushev, zëvendëskryeministër i ekonomisë.

Zëvendëskryeministri pohon se çmimi i rrymës nuk do ulet, por as nuk do rritet, pasi me furnizuesin universal janë mbrojtur qytetarët nga lëvizja e çmimeve të energjisë në bursat botërore. Ai tha se nuk do ketë mundësi të tregohen shpenzime joreale nga furnizuesi universal. Me këtë marzhë furnizuesi do duhet t’i mbulojë të gjitha shpenzimet, përkatësisht të përpiqet të njëjtat t’i zvogëlojë nëse dëshiron të ketë më shumë fitim.

Ndryshimi i vetëm që do jetë është se do kemi emër të ri të kompanisë që i furnizon. Për momentin i furnizon EVN Maqedoni e cila bashkë në konzorcium me EVN furnizim u paraqitën në këtë tender. Sipas Ligjit për Energjetikë, duhet të formohet ndërmarrje e re me qëllim që të mos ketë derdhje të fondeve, mjeteve nga aktivitetet e EVN Furnizimi në tregun e lirë me aktivitetet e tregut të rregullt – tha Marko Bislimovski, kryetar i KRRE.

Sipas Ligjit për Energjetikë, furnizuesi universal në vitin e parë do duhet 80% të rrymës ta blejë nga ELEM. Ndryshe asnjë nga furnizuesit tjerë në vend që kanë licenca, deri më tani nuk kanë oferta për qytetarët. Nga Qeveria thonë, nuk kanë qenë konkurrentë pasi rrymën e blejnë nga jashtë që është shumë më e shtrenjtë.