“Expo 2020 Dubai”, RMV prezantoi lehtësitë për investuesit e huaj

Vazhdon në “Expo 2020 Dubai” prezantimi i kushteve që Maqedonia e Veriut ofron në hapjen e bizneseve dhe masat si ndihmë shtetërore për investitorët e huaj.

Marketing

Sipas përfaqësuesve të qeverisë, tanimë ekziston një sistem transparent për sa i përket aplikimit të projekteve që kanë të bëjë me investimet e huaja.

Edhe vendndodhja gjeografike është më se e volitshme për të depërtuar në tregun europian.

“Bazuar në Ligjin tonë për Kontrollin e Ndihmës Shtetërore dhe Ligjin për Mbështetjen Financiare të Investimeve, ne mbështesim kompanitë në sektorin e prodhimit dhe atë të IT-së me masa të ndryshme që së bashku mund të arrijnë një maksimum prej 50% të kostove totale të investimit për një periudhë minimale prej pesë viteve pas investimit. Përveç kësaj, ne jemi të fokusuar në riformësimin e ekonomisë sonë, përmes hapjes së vendeve të punës me paga më të larta dhe prodhimit të produkteve me vlerë të shtuar, duke mbështetur 50% të kostos totale të investimit.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

“Arsyeja se përse vijnë kompanitë e huaja nga sektori i prodhimtarisë, pa marrë parasysh nëse janë kompani gjermane, amerikane apo prej kudo tjetër, është para së gjithash për shkak të afërsisë së tregut evropian. Më shumë se 99% të prodhimeve plasohen atje. Kemi asociacion të posaçëm të kompanive të huaja, dialog me qeverinë dhe së bashku punojmë në politikat.”,- tha nënkryetari i Odës Ekonomike, Viktor Mizo.

Qeveria ndan fonde edhe për kompanitë e vogla dhe të mesme të cilat janë inovative.

“Për momentin FIZHT përmes instrumenteve të saja financiare ka përkrahur mbi 702 projekte të cilat kanë vlerë të përgjithshme të investimeve prej mbi 87 milion euro, ku mbështetja e FIZHT-së është mbi 50 milion denarë, kurse kompanitë marrin pjesë me 37 milion denarë. Nga kompanitë e mbështetura 56% janë kompani start up, të themeluara nga të rinjtë.”,- u shpreh drejtori i FIZHT, Festim Halili.

Në këtë forum nuk mungoi as interesimi i afaristëve arab, të cilët pyetën rreth kushteve që ofron RMV. Industria tregtare dhe ushqimore është në fokus të interesit të investitorëve potencial të Emirateve të bashkuara.