Falsifikimi i fotografisë së shqiptares nga Kosova, propaganda ruse e paraqet si viktimë serbe

Ishte një prej refugjatëve që u përndoqën nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Madje, imazhi i saj u zgjodh në mesin e fotografive më të mira të shekullit, si dëshmi e kohës. Por, imazhi i saj u keqpërdorë nga Ambasada ruse në Afrikën e Jugut, duke i ndërruar kombësinë në përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën.

Marketing

Fotografia e cila për nënën Sherife Luta është dëshmi e vuajtjeve që ka përjetuar, u manipulua dhe u përdorë në tweetin propagandues të ambasadës Ruse, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s. Ndërkohë që për këtë nuk kanë reaguar institucionet e Kosovës.

Një Cheap Fake si ky e lëndoi Sherife Lutën, pasi thotë se fotografia e fotoreporterit Damir Sagolj, i kujton historinë e dhimbshme të popullit të Kosovës dhe përjetimet e asaj kohe. Derisa apelon qeverinë që të luftojë dezinformimin.

“Unë e kam parë që e kanë bë këtë fotografi si lajm të rrejshëm. Fotografia shihet vet, e ka domethënien e vet. Fotografia nuk mundet me dalë e rrejshme. Kjo fotografi nuk mundet me qenë e rrejshme sepse popullata ruse bënë gjithçka, qysh ka bërë gjatë luftës të vitit ’99, edhe tash mundet me bë. Fotografinë e kam parë që e kishin qitë, kjo fotografi kinse nuk jam unë shqiptare, por është serbe. Kjo fotografi më ka prekur në zemër sepse kjo foto është e vërtetë, qysh me i bë ato rrena. Por, nuk munden me i bë ato rrena kur kjo është e vërtetë”, thotë ajo.

Luta e cila kishte qëndruar si refugjate për tre muaj në Maqedoni, e kujton shumë mirë ditën kur Sagolj e kishte shkrepur fotografinë.

“Kjo fotografi më kujton vuajtjet e shqiptarëve gjatë vitit ’99, çka ka hequr populli shqiptar prej forcave serbe. E mbaj mend unë atë ditë kur është shpallë (shkrepur) fotografia, kur kemi ikë prej luftës prej forcave serbe, kur kemi marrë udhëtimin me mijëra refugjatë, me vajzën në krahë, duke ecur e lodhur me vajzën në krahë, pa hëngër e pa pirë, në Bllacë kjo fotografi, kameramani boshnjak e ka bërë këtë fotografi. Ku e shihte më rrezik, shkonte e fotografonte”, tregon ajo.

Ajo thotë se Kosova duhet të mobilizohet në mënyrë që të ndalë tendencat e tilla të Rusisë.

“Ata janë duke u munduar ta zhdukin këtë foto, mirëpo realiteti shihet vet, s’mundet kurrkush me e zhduk këtë. Duhet me marrë masa Qeveria, me ju përgjigj Rusisë, sepse kjo foto nuk është e rrejshme, tregon çka ka hekë populli shqiptar. Nuk jam vetëm unë që kam hekë, por krejt populli shqiptar ka hekë për këtë vend. Sot, duhet me u gëzuar që jemi të lirë”, thotë ajo.

Sesa e rëndësishme është për të fotografia, nëna Sherife Luta thotë se e dëshmon më së miri me fjalët e së bijës që dikur e mbante në duar.

“Ajo është krenare shumë. Kur e sheh këtë fotografi, thotë: ‘Oj nanë, ke mbet simbol i historisë’”, thotë ajo.

Dren Gërguri, pedagog i shkencave të komunikimit në UP, thotë se Kosova duhet të jetë e kujdesshme pasi Cheap Fake të tillë janë të rrezikshëm sepse devijojnë realitetin dhe i shtyjnë njerëzit që të besojnë në diçka që nuk është e vërtetë.

“Rasti i fotografisë së manipuluar të një nënë shqiptare që në atë rast fotografia e manipuluar paraqitet edhe me kombësi tjetër, është shembull shumë i mirë që tregon se, fatkeqësisht, manipulimet mund të përdoren edhe për propagandim. Rasti i fotografisë tregon sesi një manipulim i tillë mund të përdoret edhe për qëllime propaganduese dhe madje interneti tashmë e mundëson që ajo shumë lehtë mund të shpërndahet gjithandej. Kur një fotografi e tillë e manipuluar shpërndahet në Afrikë të Jugut, kjo nënkupton që po shpërndahet në një teren të përshtatshëm që propaganda të jetë efektive, sepse ne mund të supozojmë lirshëm që në atë pjesë të botës nuk është se mund të kenë shumë informacione për luftën e Kosovës, rrjedhimisht propaganda atje mund të jetë shumë më efektive sesa në një vend të Evropës, ku veçse e dinë se çfarë ka ndodhur në fund të të 90-ve në Kosovë”, thotë ai.

E kur propaganda prek imazhin e Kosovës, Gërguri thotë se nuk duhet të vonojë as reagimi i shtetit.

“E rëndësishme është edhe çështja e dytë që vlen të theksohet, kjo pjesa e luftës ndaj dezinformimit, që edhe shteti ynë me mekanizmat e tij duhet ta bëjë sepse është e rëndësishme sepse po flasim për prezantim të Kosovës, ose keqinformim rreth luftës së Kosovës dhe do të ishte mirë që në situata të tilla, të kishim reagime të menjëhershme për të treguar se aty nuk është e vërteta dhe se ajo fotografi nuk e tregon të vërtetën e asaj që ka ndodhur, por është thjesht një manipulim për ta përcjellë një propagandë që e prodhojnë të tjerët”, shton ai.

KosovaPress i është drejtuar edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme për të mësuar sesi i lufton Kosova lajmet propaganduese të këtij karakteri dhe se cili do të duhej të ishte reagimi për këtë rast, por që nuk ka marrë përgjigje.