Fëmijët e pavaksinuar nuk do të pranohen në çerdhe e shkolla

Kartela që do të vërtetojë nëse fëmija ka marrë vaksinën MRP do të jetë dokumenti i domosdoshëm për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë. Vendimi i tillë hyn në fuqi pas një periudhe kur dikasteri i Arsimit dhe ai i Shëndetësisë shqyrtonin alternativat për vaksinimin e detyrueshëm të fëmijëve duke mbajtur llogari gjithashtu që fëmijët të mos mbetet jashtë procesit mësimor.

Marketing

Megjithatë mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me fëmijët, prindërit e të cilëve nuk pranojnë që t’i vaksinojnë. Nga Qeveria thonë se secili fëmijë patjetër të shkojë në shkollë sikurse që e ka patjetër të jetë i vaksinuar kundër fruthit.

Nga ky vit shkollor fëmijët nuk do të mund të regjistrohen në klasë të parë nëse nuk e dorëzojnë kartelën e vaksinimit. Vaksinimi është i detyrueshëm. Nuk do të mund të regjistrohen në klasë të parë fëmijët të cilët nuk janë të vaksinuar.

Ligji për shkollim fillor neni 46 paragrafi 2. Shkollimi fillor është i detyrueshëm dhe ata fëmijë duhet të shkojnë në shkollë dhe do të shkojnë në shkollë- deklaroi Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës njoftoi se pos shkollave, i njëjti kusht vlen edhe për regjistrim në çerdhe.
Më 30 prill në Gazetën Zyrtare janë publikuar ndryshimet dhe plotësimet nga ministria e Punës Sociale të cilat precizojnë që gjatë regjistrimit nëpër çerdhe është e detyrueshme bashkëngjitja e vërtetimit për statusin vaksinal të fëmijës dhe pa të njejtin fëmija nuk mund të regjistrohet në institucionin përkatës parashkollor.

Prindërit obligohen që gjatë regjistrimit të fëmijës në klasë të parë, të dorëzojë vërtetim për pranimin e detyrueshëm të vaksinës nga ana e fëmijës, dhënë nga institucioni përkatës shëndetësor”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ambasada e fëmijëve “Megjashi” ndërkaq thotë se qeveria duhet të gjejë mekanizma të tjerë në mënyrë që fëmijët e pavaksinuar të mos mbeten jashtë procesit mësimor. Ndërkohë sot është rikthyer vaksinimi nëpër shkolla nga ana e Shtëpisë së Shëndetit Publik. Megjithatë dinamika vazhdon të jetë e zbehte. Mbi 30 persona të prekur nga fruthi janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive në Shkup ndërsa në Klinikën e Pediatrisë gjithashtu janë të hospitalizuar disa foshnja.