FIFA hap hetime për “shqiponjën” e Xhakës e Shaqirit. Në hetim edhe Serbia

Qeveria e futbollit botëror, FIFA ka hapur edhe zyrtarisht një hetim mbi mënyrën e festimit të golave nga ana e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, gjatë fitores së Zvicrës përballë Serbisë në Kupën e Botës së Rusisë.

Marketing

Të dy lojtarët janë me prejardhje shqiptare nga Kosova, aty ku spastrimi etnik i ndërmarrë nga serbët ndaj popullsisë shqiptare përfundoi vetëm pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999.

Pasi shënuan, ata bënë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare të flamurit shqiptar, e sigurisht që të dy u vërshëllyen nga tifozët serbë e rusë.

Në deklaratën zyrtare, FIFA shkruan se Komiteti i Disiplinës ka nisur hetimet ndaj Xhakës e Shaqirit, duke shtuar madje se, “në lidhje me të njëjtën ndeshje, procedime disiplinore janë hapur edhe ndaj Federatës serbe të Futbollit, për shqetësimet që kanë sjellë tifozët në stadium dhe shfaqjen e mesazheve politike e agresive nga tifozët serbë”.

“Për më tepër, një hetim paraprak është hapur ndaj trajnerit të Serbisë, Mladen Krstajiç, për deklaratat akuzuese që bëri pas ndeshjes në fjalë”.

Ende mbetet e paqartë se për çfarë është hapur hetimi ndaj Krstajiç, por në komentet për reporterët serbë gjatë së shtunës, ai besohet të ketë folur mbi gjyqtarin e ndeshjes, Felix Brych:

“Nuk do t’i nxjerr as karton të verdhë dhe as të kuq, ndoshta do ta dërgoja atë në Hagë, në mënyrë që ata ta nxjerrin para gjyqit, siç kanë bërë me ne”.

Pas ndeshjes, që ekipi i tij e fitoi 2-1, trajneri boshnjako-zviceran Vladimir Petkoviç është pyetur në lidhje me festimet e lojtarëve të tij, duke thënë se “kurrë nuk duhet të ngatërrohet futbolli me politikën. E rëndësishme është të jesh tifoz dhe të respektosh të tjerët. Ishte një atmosferë e mrekullueshme dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë tifozët”.

Babai i Xhakës kaloi 3 vite e gjysmë si i burgosur politik në Jugosllavi, ndërsa Shaqiri u lind në Kosovën nën ish-Jugosllavi, përpara se të emigronte drejt Zvicrës në moshë fëminore. Shaqiri mban gjithashtu flamurin e Kosovës në njërën prej këpucëve të tij.

“Është thjesht diçka emocionale – u shpreh ai në lidhje me festimin. – Jam shumë i lumtur që shënova gol, thjesht kaq nuk ka asgjë më shumë. Mendoj se nuk duhet të flasim për këtë tani”.

Marketing