Fillon dhënia e provimit të maturës në afatin e gushtit
Afati i gushtit për provimet eksternë të maturës për kandidatët që nuk e kaluan ose nuk e përfunduan me sukses në qershor do të zhvillohet sot dhe të premten (14 gusht), duke filluar nga ora 09:00.
Kandidatët e regjistruar sot do t’i nënshtrohen provimit të zgjedhur ekstern – matematikë ose gjuhë angleze. Për gjuhët e tjera të huaja – gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe rusisht, të cilat i japin vetëm nxënësit e gjimnazeve – nuk ka kandidatë në gusht. Nuk ka kandidatë as për lëndën histori, e cila është pjesë e maturës artistike. Më 14 gusht do të zhvillohet provimi i detyrueshëm ekstern – gjuha amtare dhe letërsia.
Për shkak të numrit dukshëm më të vogël të kandidatëve në gusht, krahasuar me qershorin, kjo seancë provimesh do të organizohet në katër qytete, në tetë lokacione. Provimet do të zhvillohen sërish në fakultetet Ekonomik, të Ndërtimtarisë dhe Pedagogjik në Shkup, si dhe në fakultete në Tetovë, Prilep dhe Shtip. Nga shkollat e mesme, provimi do të zhvillohet vetëm në sallën sportive të shkollës “Boro Petrushevski” në Shkup, ku do të testohen nxënës nga disa shkolla. QShP ka publikuar në ueb-faqen e saj listën me informacionet për lokacionin ku do të zhvillohet provimi për secilin nxënës. / Aktuale.mk
