“Fiton në Kazino, më fton në iftar”, ja si përgjigjet hoxha Bashkim Aliu

Pyetja: Unë jetoj në Zvicër dhe këtu e kam edhe familjen më të gjërë. Nji kushërir i afërt, i cili ka një firmë për rregullim të kopshteve (Gartenbau), shpesh i frekuenton kazinot dhe vetë tregon se luan në aparatet e bixhozit dhe fiton. Por, nga ana tjetër edhe agjëron dhe më fton në iftar. Unë jam i dyshimtë, çka të bëjë, të shkoj apo jo, ngase ai ka para të fituara me haram? Dyshoj se bëj iftar me haram. Nga ana tjetër e kam të afërt, frikohem mos i këputim lidhjet? Si të veproj?

Marketing

Bashkim Aliu

Përgjigja: Së pari, duhet rikonfirmuar se kazinot dhe lojrat tjera të kësaj natyre, janë bixhoz dhe janë të ndaluara në fenë Islame. Ato janë vende ku bëhen punë të ndaluara sipas fesë Islame, dhe muslimani nuk duhet të shkojë në ato vende dhe as të luaj lojra të tilla. Bile, këto janë vende të mashtrimit të madh, ngase pronarët e tyre, përmes programimit të aparateve, në mënyrë klasike u vjedhin njerëzve. Pastaj, aty sundon shejtani, dhe ato janë vende të problemeve, zënkave, sharjeve, konflikteve dhe çdo të keqeje tjetër. Loja në kazino, apo lloto, bingo etj., janë lojra të ndaluara në fenë Islame, ngase janë bixhoz, ndërkaq bixhozin e ka ndaluar Allahu i Madhërishëm në Kur’an. Në Kur’an qëndron:<<O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.>>[El-Maide: 90] Për atë, pasi kjo lojë është e ndaluar, atëherë edhe fitimi prej saj është i ndaluar-haram, dhe muslimani nuk guxon të fitojë së pari në këtë mënyrë të ndaluar, dhe as ta përziej këtë fitim, nëse ka gabuar dhe ka fituar përmes kësaj mënyre, me pasurinë e tij dhe as t’i ushqejë fëmijët. I Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë:”Çdo  mish (kilogram) që shton njeriu nga fitimi haram, zjarri është më meritor për të.

Mirëpo, ju në pyetje përmendi se ai nuk fiton vetëm në këtë mënyrë, por ka edhe burime tjera të të ardhurave të cilat janë të lejuara, gjegjësisht fiton edhe me punë të lejuar, siç është rasti i rregullimit të kopshteve dhe parqeve, e që këtu në Zvicër është fitimprurëse dhe është e lejuar, ngase si zakonisht rregullohen parqet e shtëpive private, institucioneve të ndryshme, etj.

Rastet e këtilla i kanë shqyrtuar dijetarët dhe kanë dhënë shpjegimin vijues: Nëse nji person e ka tërë pasurinë të fituar me haram, dhe nuk ka aspak fitim me hallall, nuk bën që të marrish prej tij dhurata dhe as të hashë diçka që të ofron, ngase e gjithë pasuria e tij është e fituar me haram.

Mirëpo, nëse nji person fiton edhe në mënyrë të ndaluar, por edhe në mënyrë të lejuar, d.m.th. e gjithë pasuria e tij nuk është e fituar me haram, por ka edhe pasuri të fituar me hallall, gjegjësisht bëhet fjalë për pasuri të përzier, dijetarët e kanë lejuar që të pranohen dhurata prej tij dhe të hahet ushqim i lejuar që të ofron ky person, duke e patur nijet çdo herë që e pranon atë që është fituar me hallall e jo me haram. Këtë e bazojnë në faktin se edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka pranuar dhurata prej mbretërve krishterë dhe njerëzve tjerë jo musliman, dhe nuk refuzoi të hajë nga ushqimi që i ofroi një grua hebreje për atë se ajo fitonte në mënyrë të palejuar, ngase dihej se në atë kohë ata punonin me kamatë dhe me gjëra tjera të ndaluara. Megjithatë, ata bënin edhe punë të lejuara dhe fitonin nga këto punë. Për këtë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., nuk refuzoi dhurata dhe as ushqim prej tyre.

Nisur nga kjo, pasi kushëriri juaj fiton edhe në mënyrë të lejuar, pra me me djersë dhe bën punë të lejuar, nuk është e ndaluar që ju të shkoni në iftar te ai dhe nuk ka nevojë të keni frikë se do të hani iftar nga pasuri e dyshimtë. Për më tepër, që ky është kushërir i juaj dhe mund të ndikojë në ftohjen e marrëdhënieve, e këputja e lidhjeve farefisnore, sipas Islamit, është punë e përbuzur dhe nuk duhet të ndodh. Bile, është shumë mirë që ju fton, bile edhe ju bëni mirë ta ftoni atë, dhe ta shfrytëzoni këtë rast ta këshilloni të largohet prej kazinove që janë një haram me një rrezikshmëri të madhe për shoqërinë, dhe për fat të keq, çdo ditë e më tepër po përhapet nëpër vendet dona dhe gjetiu në botë.

Allahu na udhëzoftë në rrugën e drejtë.