Fiton Struga, Shkëndija humb, Shkupi vetëm barazim

Struga Trim Lum ka marrë fitore, Shkëndija pësoi humbje, teksa Shkupi nuk shkoi më shumë se një barazim në ndeshjet e luajtura pasditën e sotme në kuadër të xhiros së 28-të në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Kampionët në fuqi, arritën të fitojnë në kryeqytet përballë Makedonija Gjorçe Petrovit falë golit të Besart Ibraimit. Hap fals në garën për titull ka bërë Shkëndija që në Kavadar u mund nga Tikveshi me rezultat 2:1. Spahiu dhe Maleski realizuan për vendasit, përderisa për kuqezinjtë golin e shënoi Totre.

Shkupi është ndalur me barazim pa gola me Sileksin në Kratovë në një fushë jo të përshtatshme për lojë për shkak të rreshjeve të shiut. Me barazim 1:1 është mbyllur edhe takimi ndërmjet Gostivarit dhe Brerës, ndërkohë që fitore të rëndësishme ka marrë Voska Sport që mundi Vardarin në Shkup me rezultat 0:1.