Fitore për Qeverinë: Rajoni i Ohrit e ruajti statusin e tij si trashëgimi botërore kulturore e mbrojtur
Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s vendosi që Rajoni i Ohrit ta ruajë statusin e tij si trashëgimi botërore kulturore dhe natyrore e mbrojtur.
Vendimi u mor sot nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s, në sesionin e 48-të që po mbahet në Busan, Republika e Koresë, me ç’rast trashëgimia natyrore dhe kulturore e Rajonit të Ohrit nuk u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Delegacioni i Maqedonisë në sesionin e 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore u udhëhoq nga ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë pranë UNESCO-s, prof. dr. Igor Nikollov, i cili në fjalimet e tij rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të shtetit për zbatimin e rekomandimeve të Komitetit dhe për mbrojtjen afatgjatë të vlerës së jashtëzakonshme universale të Rajonit të Ohrit.
Ky vendim përfaqëson një shprehje besimi ndaj aktiviteteve të ndërmarra dhe ndaj përcaktimit të qartë të shtetit që, në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë, të vazhdojë zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, Qendrës së Trashëgimisë Botërore dhe organeve këshillimore.
Në të njëjtën kohë, ky vendim nuk do të thotë se sfidat janë tejkaluar. Përkundrazi, ai paraqet një obligim të fortë për intensifikimin e mëtejshëm të aktiviteteve për ruajtjen e vlerës së jashtëzakonshme universale të Rajonit të Ohrit.
Maqedonia mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj zbatimit të Planit të Menaxhimit dhe Planit Strategjik për Rehabilitim, forcimit të koordinimit institucional, krijimit të një organi menaxhues, si dhe vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me Republikën e Shqipërisë në menaxhimin e kësaj trashëgimie botërore ndërkufitare.
Gjatë periudhës së ardhshme do të vazhdohet me zbatimin e masave konkrete për mbrojtje, duke përfshirë përgatitjen e Vlerësimit Strategjik Ndërkufitar të Ndikimit në Mjedis, forcimin e mbikëqyrjes inspektuese dhe trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe aktivitetet për mbrojtjen dhe restaurimin e Kënetës së Studençishtës.
Ambasadori Nikollov shprehu mirënjohje ndaj shteteve anëtare të Komitetit të Trashëgimisë Botërore për qasjen konstruktive dhe besimin e treguar, si dhe ndaj Qendrës së Trashëgimisë Botërore, organeve këshillimore dhe të gjithë partnerëve që me ekspertizën dhe bashkëpunimin e tyre kontribuojnë në ruajtjen e Rajonit të Ohrit.
“Rajoni i Ohrit është një pasuri e paçmueshme natyrore dhe kulturore me vlerë të jashtëzakonshme universale. Ruajtja e tij është përgjegjësi kombëtare e jona, por edhe një detyrim i përbashkët ndaj trashëgimisë botërore dhe brezave të ardhshëm. Komiteti i Trashëgimisë Botërore Natyrore dhe Kulturore vendosi të mos e miratojë projektvendimin e propozuar për ta përfshirë Rajonin e Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Ky rezultat nuk është aspak rastësi, sidomos duke pasur parasysh se përpjekjet e fuqishme të Qeverisë gjatë dy viteve të fundit u njohën dhe u vlerësuan nga Organizata, veçanërisht nëse merren parasysh raportet e shumta negative që nga viti 2017 e këtej.”
Ndryshe, mosmiratimi i një vendimi të propozuar për përfshirjen e një vendi në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik është një dukuri jashtëzakonisht e rrallë. Raste të tilla janë regjistruar me Venecian dhe Gumën e Madhe Koralore në Australi në vitin 2021. Prandaj, kjo e bën suksesin e vendit tonë veçanërisht të rëndësishëm dhe historik. Ohri dhe Maqedonia morën mbështetje të merituar ndërkombëtare, një mbështetje që njëkohësisht paraqet edhe një përgjegjësi të madhe dhe që do të duhet të justifikohet në periudhën që vjen.
“Ne mbetemi të përkushtuar fuqishëm për përmbushjen e të gjitha obligimeve të marra dhe për sigurimin e mbrojtjes afatgjatë, efektive dhe të qëndrueshme të Rajonit të Ohrit, në përputhje me Konventën e UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. /
Aktuale.mk
