Shoferi 18-vjeçar kapet me 211 km/h në autostradën Shkup–Tetovë, sekuestrohet automjeti
Një shofer fillestar është privuar nga liria pasi është kapur duke vozitur me shpejtësi prej 211 kilometrash në orë në autostradën Shkup–Tetovë.
Sipas MPB-së, ngjarja ka ndodhur më 23 korrik 2026, rreth orës 16:21, në afërsi të nyjës së Kondovës. Gjatë kontrollit me radar, policia ka konstatuar se 18-vjeçari I.A. drejtonte një automjet “Volkswagen Arteon”, me targa të Shkupit, me më shumë se dyfishin e shpejtësisë së lejuar.
Për shoferët fillestarë, shpejtësia maksimale e lejuar në autostradë është 100 kilometra në orë.
Për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale, automjeti është sekuestruar, ndërsa i riu është ndaluar në stacion policor për procedurë të mëtejshme. / Aktuale.mk
