Raporti i Freedom House, edhe sivjet, e radhit Maqedoninë në mesin e vendeve pjesërisht të lira.
Këtë vend, Maqedonia e mban së bashku me Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën nga rajoni dhe me Pakistanin, Ukrainën, Kirgizinë, Armeninë e të tjera vende nga bota.
Serbia, në raportin e vitit të kaluar, ka qenë në mesin e vendeve të lira, por ka rënë në kategorinë “pjesërisht e lirë”, për shkak të, siç thuhet, parregullsive zgjedhore, sulmeve ndaj gazetarëve të pavarur dhe mbledhjes de facto të kompetencave jashtëkushtetuese nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiq, thuhet në raportin “Liria në botë 2019”, të lëshuar të martën nga Freedom House – grup joqeveritar, me seli në Uashington.
Te pjesa për rajonin e Ballkanit, raporti i Freedom House tërheq vërejtjen në veçanti për Malin e Zi, ku, siç thuhet, presidenti Millo Gjukanoviq ka vazhduar ta konsolidojë pushtetin shtetëror rreth vetes dhe klikës së tij, duke i shmangur standardet themelore të qeverisjes së mirë dhe duke tejkaluar rolin e tij kushtetues.
Te pjesa për Evropën në përgjithësi, Freedom House thekson se dhuna ka arritur shtypin në Sllovaki, ku gazetari hulumtues, Jan Kuciak, është qëlluar për vdekje, pasi ka zbuluar lidhje korrupsioni midis zyrtarëve qeveritarë dhe krimit të organizuar.
Në Turqi, zgjedhjet e njëpasnjëshme parlamentare dhe presidenciale janë zhvilluar nën gjendje të jashtëzakonshme, e cila është hequr më vonë, porse autoritetet “kanë vazhduar të angazhohen në spastrimet e institucioneve shtetërore dhe arrestimet e gazetarëve, anëtarëve të shoqërisë civile dhe akademikëve”.
“Vladimir Putin i Rusisë dhe Ilham Aliyev i Azerbajxhanit i kanë siguruar mandatet e reja presidenciale, duke përfituar nga taktikat me duar të fuqishme, përfshirë shtypjen e mediave të pavarura dhe të shoqërisë civile, abuzimin e burimeve shtetërore dhe persekutimin e kundërshtarëve të mirëfilltë politikë”, thotë, mes tjerash, Freedom House në pjesën për Euroazinë.
Nga 195 vendet e vlerësuara nga Freedom House, 86 janë të lira, 59 pjesërisht të lira dhe 50 jo të lira.
Në grupin e parë bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar e të tjera, ndërsa në fund të listës, më së paku të lira janë: Siria, Sudani Jugor, Eritrea, Turkmenistani dhe Koreja e Veriut.
Raporti i bën një vlerësim të veçantë gjendjes së demokracisë në SHBA, në kohën kur presidenti Donald Trump është në gjysmë të mandatit.
Raporti thotë se në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2018, ka pasur rënie të sundimit të ligjit që e ka vënë demokracinë amerikane “në nivel me Greqinë, Kroacinë dhe Mongolinë” dhe nën demokracitë si Gjermania dhe Britania. Sfidat ndaj demokracisë në Shtetet e Bashkuara po testojnë stabilitetin e sistemit të saj kushtetues dhe kërcënojnë të minojnë të drejtat politike dhe liritë civile në mbarë botën, thuhet në raport.