Ministri i Mbrojtjes Kombëtare i Turqisë Hulusi Akar, Sekretarit amerikan të Mbrojtjes në detyrë Mark Esper, i është shprehur se vendi i tij është nën një kërcënim serioz ajror dhe raketor, duke theksuar se blerja e sistemit të mbrojtjes S-400 në këtë drejtim nuk është zgjedhje por domosdoshmëri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të Ministrisë turke të Mbrojtjes Kombëtare, thuhet se Akar ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Esper.
Në bisedën Akar-Esper, sipas ministrisë, janë trajtuar çështjet si furnizimi me sistemin e mbrojtjes rajonale ajrore dhe raketore me rreze të gjata si dhe çështjet e sigurisë që ndodhin në Siri në periudhë të fundit.
Akar homologut të tij i është shprehur se “Turqia është nën një kërcënim serioz ajror dhe raketor, duke theksuar se blerja e sistemit të mbrojtjes S-400 në këtë drejtim nuk është zgjedhje por domosdoshmëri, ndërsa vazhdojnë vlerësimet rreth ofertës për Patriot”.
“Akar potencoi se projekti i avionit luftarak F-35 duhet të avancojë në rrugën e vet, duke theksuar se Turqia është partner i projektit dhe tha se ende ruan vlefshmërinë propozimi i Turqisë për grupin punues ku mund të përfshihet edhe NATO në lidhje me bashkëveprimin e mundshëm të sistemeve të F-35 dhe S-400”, thuhet në deklaratë.
Përkeqësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, sipas ministrit turk të mbrojtjes, nuk do të shërbente as në interesat e Turqisë e as në ato të SHBA-ve dhe NATO-s, theksohet në deklaratë.
Në bisedë gjithashtu janë trajtuar zhvillimet e fundit në Siri, ku Akar ka theksuar se Turqia ka domosdoshmëri për ta ruajtur veten kundrejt sulmeve intensive të bëra nga kufiri i Sirisë.
Palët janë dakorduar për të dërguar një delegacion amerikan në Ankara javën e ardhshme për të vazhduar dialogun mes dy vendeve dhe krijimin e një zone të sigurtë në Siri.