Ganiu: Grubin nuk e votojnë as në lagjen e tij (VIDEO)

Nuk ka asnjë vetëpërjashtim në statutin e BDI-së, as nuk kemi deklaruar gjëkundi se po vetëpërjashtohemi nga partia. Ne mendojmë ndryshe, por nuk do të thotë se nuk jemi bashkëpartiakë dhe anëtarë partie. Nuk jemi të kënaqur me emërimin e ministrave aktualë nga BDI, thekson Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit dhe pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Zjarrit”.
Anëtari i kryesisë së BDI-së dhe kryetari i Çairit në një intervistë për “Republika” ka theksuar se ata nuk janë vetëpërjashtuar nga BDI dhe nuk ka diçka të tillë në statutin e kësaj partie.

Marketing

Ai flet për gjendjen në BDI dhe se në cilin drejtim po lëviz partia me turbullirat e fundit, por duke drejtuar kritika ndaj Artan Grubit.

“BDI nuk është e njëjta parti dhe funksionon ndryshe nga sa kemi ditur më parë. Kjo që po ndodhë është anarki totale që mbretëron në BDI, ka deklarata të ndryshme, ne nuk jemi të ftuar, nuk shkojmë atje se na kanë fshirë në të gjitha grupet në Viber dhe WhatsApp. Kishin edhe dy takime në të cilat ne nuk ishim të ftuar”, theksoi Ganiu.

Ai nënvizon se grupi i tyre ka mbështetje të madhe në radhët e anëtarëve të BDI-së, ndërsa për Grubin thotë se nuk ka asnjë mbështetje, sa që vështirë do të votohej edhe në bashkësinë e tij lokale.

“Tani ka njerëz që janë në parti pa bazë si Artan Grubi. Jam i bindur se as në komunitetin e tij vendas nuk do të kalojë e lëre më të arrijë atë nivel. Është normale që do të futin një funksionim të tillë që i ngjan Menduh Thaçit dhe PDSH-së kur ishte në atë rënie dhe kërkonin të shpëtonin veten përmes gjërave të tilla dhe jo të analizonin mes tyre, të shihnin gabimet dhe t’i korrigjonin. Për momentin Artan Grubi është numër një, mbi të është edhe zv/kryeministër dhe hakmerret me çdo drejtor që mendon njësoj si ne. Grubi menaxhon të gjitha ministritë, të gjithë drejtorët dhe praktikisht gjithçka është nën kontrollin e tij, këtë e them me shumë përgjegjësi. Kushdo që nuk mendon si Grubi e fshin dhe eliminon menjëherë dhe paralelisht formon organe të tjera dhe i sundon të gjitha ato organizata e forume brenda partisë sipas mënyrës së tij”, theksoi Ganiu.

Ai beson se ata do të luftojnë për atë që kërkojnë brenda partisë dhe tani për tani nuk po mendojnë t’i bashkohen një blloku opozitar shqiptar.(INA) https://youtu.be/IGi3QuYBSsI