Gashi merr urim nga Kosova për zgjedhjen në krye të Kuvendit

Deputeti i Koalicionit VLEN, Afrim Gashi është zgjedhur sot kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Liderët kosovarë e kanë uruar Gashin për pozitën e tij të re.

Presidentja, Vjosa Osmani në një postim në “X” derisa ka uruar Gashin për zgjedhjen në krye të Kuvendit, është shprehur se shqiptarët e kanë luajtur rol kyç në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Maqedonisë së Veriut.

“Urime Kryetarit të sapo zgjedhur të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë luajtur rol kyç në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Maqedonisë së Veriut ndërkaq sot janë kontribuues kyç për perspektivën evropiane të saj.

Shtetet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore, të bazuara në respekt të ndërsjellë, miqësi e bashkëpunim. I uroj Kryetarit Gashi shumë suksese në këtë pozitë të rëndësishme!”, ka shkruar Osmani.

 

Edhe kryeparlamentari Galuk Konjufca ka uruar Gashin për zgjedhjen e tij si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

“Do të jetë shumë kënaqësi të punojmë së bashku, për të thelluar bashkëpunimin mes vendeve tona, përfshirë

atë të institucioneve tona parlamentare. Mezi pres t’ia nisim punës për të çuar përpara sa më shumë interesat tona të përbashkëta, për të kontribuuar bashkërisht drejt stabilitetit të qëndrueshëm rajonal dhe synimeve euroatlantike. Pres që marrëdhëniet mes institucioneve tona të konsolidohen edhe më tutje”, ka shkruar Konjufca.

Ai kas shtuar se shqiptarët janë jo vetëm shenjë demografie, por edhe demokracie në politikën e Maqedonisë së Veriut, prandaj aksi mes lirisë dhe barazisë së qytetarëve u respektua sot me zgjedhjen e Gashit si kryeparlamentar, duke lënë pritshmërinë e vijimit në frymën gjithëpërfshirëse.

“Uroj që ligjet, praktikat dhe kultura demokratike të na sjellë edhe më afër si vizion për një të ardhme sa më premtuese për të dyja vendet tona”, ka deklaruar Konjufca.