Gashi: Taravari do të jetë fitues në kampin shqiptar, Bujar Osmani humbës jo vetëm elektoral por edhe kombëtar

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi ka deklaruar se dallimi mesa kandidatit të VLEN-it dhe kandidatit të koalicionit “Fronti Europian”, të cilin ai e cilëson si multietnik, është substancional.
“Së pari, në kohën që BDI-ja kalkulonte që ta mbështesë Stevo Pendarovskin, ne bëmë thirrje që të kemi kandidat konsensual shqiptar, sepse, si asnjëherë më parë, për shkak të matematikave elektorale, në këto zgjedhje ka gjasa reale që kandidati shqiptar të shkojë në raundin e dytë dhe pse jo të zgjidhet president i Maqedonisë së Veriut. Dhe, kur nga BDI-ja kishte heshtje, ne e kandiduam Dr. Arben Taravarin, të cilit kohë më parë edhe vetë Ali Ahmeti i kishte shfaqur gatishmëri për mbështetje. Megjithatë, pasi që ne e propozuam, BDI-ja vendosi ta sabotojë kandidatin shqiptar, duke e kandiduar Bujar Osmanin dhe duke kërkuar mbështetje nga komunitetet joshumicë”, ka deklaruar Afrim Gashi, kryetar i Alternativës, për portalin Telegrafi Maqedoni.
Gashi tha se për ata, Arben Taravari nuk është në garë me Bujar Osmanin, por ai garon me krejt kandidatët e tjerë për të kaluar në raudin e dytë.
“Ky është dallimi themelor mes Arben Taravarit dhe Bujar Osmanit. I pari është kandidat i shqiptarëve, i dyti është kandidat i mbështetur nga komunitetet joshumicë. I pari është kandidat për ta bërë betejën që shqiptari të bëhet president, i dyti është kandidat që ta sabotojë mundësinë që shqiptari të bëhet president, duke i bërë shërbim një kandidati maqedonas. I pari është kandidat pa asnjë aferë dhe me plot suksese në detyrat që i ka pasur, i dyti, si ministër i Jashtëm dhe kryesues i OSBE-së, është kandidat të cilit e kaluara i flet keq në relacion me kauzën shqiptare, veçmas në raport me Kosovën”, ka shtuar Gashi.
Ai mes tjerash ka thënë se është evidente se fitues i këtyre zgjedhjeve në kampin shqiptar do të jetë Arben Taravari, ndërsa humbës jo vetëm elektoral por edhe kombëtar do të jetë Bujar Osmani.

Marketing
Marketing