Si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve, Klinika për sëmundje të lëkurës, ajo e neurologjisë dhe një repart shtesë i Spitalit të përgjithshëm “8 shtatori” do të rihapen si qendra për kovid, shkruan Alsat.
Një gjë e tillë është propozuar në mbledhjen e Komisionit për sëmundje ngjitëse i cili ka propozuar që edhe disa institucione të tjera shëndetësore të përgatiten për ndonjë valë eventuale të të shtruarve në Spitale, pasi numri i infektimeve gjatë ditëve të fundit është rritur ndjeshëm.
“ MSH i angazhoi Klinikat universitare, Institutin për sëmundje të mushkërive dhe tuberkuloze, Institutin e fëmijëve në Kozle dhe Spitalin special për geriatri që në rast të rritjes së numrit të të prekurve të cilët do të kenë nevojë të shtrohen në Spital të jenë të gatshëm në aspektin organizues për pranimin e Kovid pacientëve. Sa i përket personelit mjekësor, institucionet shëndetësore janë njoftuar që të angazhojnë kuadër adekuat mjekësor për t’i kyçur në punën e Klinikës për sëmundje infektive”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Pavarësisht rritjes së numrit të infektimeve, KSI propozon që fillimi i gjysmë vjetorit të dytë shkollor të fillojë me prani fizike duke respektuar masat parandaluese dhe protokollet ekzistuese. Ndërkohë ministri i Arsimit Jeton Shaqiri ka deklaruar se deri në fund të javës do të bëhet I ditur vendimi final për fillimin e gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor, nëse do të mbetet me prezencë fizike ose do të kalohet në formën online.
“Nuk e vendos as unë si ministër po as ministria. Deri në fund do të respektohen të gjitha rekomandimet e Komisionit për sëmundje infektive. Vendimi im është “pro” mbrojtjes së shëndetit pa dallim formën. Për mua shumë rëndësi ka fakti që të gjithë fëmijët e arsimit fillor dhe të mesëm po presin me padurim fillimin e vitit shkollor. Kjo mbyllje ishte e përkohshme duke pritur që varianti Omikron të arrijë pikun dhe të kemi fillim rënie”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Autoritetet kujtojnë se pavarësisht rritjes së numrit të rasteve të prekura me variantin e fundit të virusit korona, Omikron jep pasqyrë më të lehtë klinike krahasuar me mutacionet paraprake. Përvojat e shteteve të ndryshme të botës, flasin se pavarësisht hospitalizimeve Omikron nuk prek rëndë rrugët e poshtme të frymëmarrjes. Vaksinimi mbetet rekomandimi kryesor për tejkalimin e sëmundjes Kovid19.